Fisnik Asllani: Shpresojmë në fitore, favoritët vendosen në fushë
‘Ylli’ i Kosovës, Fisnik Asllani, është i vendosur para finales së play-offit kundër Turqisë dhe thotë se ekipi i tij është gati të japë maksimumin për të siguruar kualifikimin për në Botërorin 2026.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së, Asllani nënvizoi se fitorja ndaj Sllovakisë ka rritur besimin e lojtarëve dhe tani janë të gatshëm ta dëshmojnë këtë ndaj Turqisë.
“Fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim, kështu që të martën do të japim maksimumin kundër Turqisë. Shpresoj që të fitojmë dhe të shkojmë në Kupën e Botës. Tifozët tanë do të jenë pjesë e rëndësishme, dhe u kërkojmë të na përkrahin sa më shumë të mundin,” deklaroi sulmuesi i Hoffenheimit.
Asllani shtoi se pozita e favoritit nuk i shqetëson: “Favorit mund të jenë ata, po ashtu edhe Sllovakia e Suedia ishin. Në fund, shikohet në fushë se çfarë bëhet. Ne do të kryejmë punën tonë dhe pastaj të shohim rezultatin.”
Kosova do të përballet me Turqinë të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, në një ndeshje vendimtare për vendin në Botërorin 2026.