Dy dronë kalojnë kufirin, rrëzohen në Finlandë - Ministri i Mbrojtjes: Po e marrim çështjen shumë seriozisht!

Dy dronë hynë në hapësirën ajrore të Finlandës dhe u rrëzuan të dielën, sipas ministrisë së mbrojtjes së vendit, e cila tha se po heton incidentet.

"Dronët kanë hyrë në territorin finlandez. Po e marrim çështjen shumë seriozisht. Autoritetet e sigurisë kanë reaguar menjëherë", tha Ministri i Mbrojtjes Antti Häkkänen në një shënim të postuar në faqen e internetit të ministrisë.

Disa objekte të vogla që fluturonin ngadalë u vunë re në lartësi të ulët në hapësirën ajrore finlandeze të dielën në mëngjes, njëri mbi det dhe tjetri në juglindje të vendit, shtoi deklarata. 

Dronët u rrëzuan pranë qytetit të Kouvolës, rreth 200 kilometra në verilindje të Helsinkit, tha ministria, duke shtuar se Forcat e Mbrojtjes Finlandeze po hetojnë incidentin së bashku me autoritetet e tjera.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo i tha transmetuesit shtetëror finlandez Yle se dronët ka të ngjarë të kenë ardhur nga Ukraina, e cila ka kryer sulme në territorin rus përgjatë kufirit me Finlandën.

Më herët të dielën, Forcat Mbrojtëse Finlandeze vendosën avionë luftarakë në Finlandën juglindore, ndërsa Ukraina kreu sulme me dronë ndaj porteve ruse të naftës në Gjirin e Finlandës./ Politico.