Milani siguron talentin malazez, sulmuesi i ri mbërrin për vizitat mjekësore

Milani vazhdon të investojë te të rinjtë, duke siguruar shërbimet e talentit të ri Andrej Kostić. Sulmuesi 17-vjeçar ka mbërritur në Milano dhe këtë mëngjes ka kryer vizitat mjekësore në klinikën ‘La Madonnina’, përpara zyrtarizimit të transferimit.

Marrëveshja mes Milanit dhe Partizani është arritur për rreth 3 milionë euro. Kostić do t’i bashkohet projektit “Milan Futuro” gjatë verës, si pjesë e strategjisë së klubit për të zhvilluar talentët e rinj.

I lindur në Podgoricë, sulmuesi konsiderohet një profil modern për repartin ofensiv. Me gjatësi 188 cm, ai është i fortë fizikisht dhe mund të luajë si qendërsulmues klasik, por edhe si sulmues i dytë. Karrierën e nisi te Budućnosti, përpara se të transferohej te Partizani, ku u rrit shpejt në një ambient më konkurrues.

Gjatë këtij sezoni në Superligën serbe, Kostić ka realizuar 11 gola në 34 ndeshje, statistika shumë premtuese për një lojtar të moshës së tij. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve, por ishte Milani ai që veproi më shpejt për ta siguruar.

Me këtë lëvizje, klubi kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Massimiliano Allegri, konfirmon fokusin te e ardhmja, duke investuar në lojtarë të rinj me potencial të lartë për të ndërtuar një skuadër konkurruese në vitet që vijnë.