'Reforma territoriale dështim në thelb', Kaprata: Pushteti vendor nën kontrollin e qeverisë qendrore
Teksa komisioni për reformën territoriale punon pa transparencë, ekspertët paralajmërojnë se gabimet e vitit 2014 rrezikojnë të përsëriten, duke e thelluar më tej centralizimin e pushtetit në vend.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, urbanisti Gent Kaprata u shpreh se reforma territoriale e vitit 2014–2015 ishte një reformë e gabuar në thelb dhe në koncept.
Sipas tij, ajo u fokusua te numri i bashkive dhe jo te ndarja reale e pushtetit, duke lënë në hije thelbin e qeverisjes territoriale. Kaprata theksoi se në vend të decentralizimit, kjo reformë ka sjellë një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit në duart e qeverisë qendrore.
Ai paralajmëroi se ky model rrezikon të kthejë vendin drejt praktikave të centralizuara të së kaluarës, ku pushteti vendor mbetet i varur nga Kryeministri.
Pjesë nga deklarata:
Po patjetër, por në fakt është gabuar; pra është bërë një reformë e gabuar. Këtë ne e kemi thënë që para 10 vjetësh, në kohën kur po zhvillohej ky proces, i ngjashëm me këtë të sotmin. Problemet kryesore të asaj reforme dhe të çdo reforme tjetër territoriale kanë lidhje, për së pari, me kuptimin e gabuar. Duket sikur ne orientohemi më shumë te sa bashki duhet të ketë si numër, ose qoftë edhe si sipërfaqe, pa kuptuar thelbin e reformave të tilla.
Për ta kuptuar këtë, duhet të theksojmë, së pari, që reforma territoriale është reforma më e madhe që një komb, një shoqëri e organizuar në një shtet, ndërmerr. Nuk ka një reformë më të madhe pas vendosjes së sistemit apo regjimit politik që ke zgjedhur. Pra, pasi kemi thënë që jemi një republikë parlamentare, demokratike, e demokracisë liberale e të tjera, gjëja tjetër që bën një shoqëri është reforma territoriale. Pra, i jep kuptim asaj që quhet qeverisje territoriale.
Çfarë kemi bërë gabim atëherë? Unë ua thashë, e kemi thënë edhe atëherë: ne jemi orientuar te numri i njësive, jo te fuqia dhe pushteti që këto njësi do të ndajnë me qeverinë qendrore në funksionimin e një qeverisjeje territoriale. Ky është thelbi i gjithë problemit dhe nga këtu nis çdo gjë.
Këtë nuk di t’jua them, por di që Partia Demokratike, përveç përfaqësuesit në një nivel shumë të lartë, nënkryetarit të partisë në komisionin parlamentar që ju e përmendët, ka një grup të madh pune me ekspertë, qofshin ata ekspertë të Partisë Demokratike, qofshin edhe ekspertë të tjerë, të cilët po analizojnë dhe po diskutojnë mbi këtë çështje. Thelbi midis, si të thuash, asaj që duhet dhe asaj që po bëhet, duhet pranuar që, të paktën te grupi i punës së Partisë Demokratike, nuk është shumë i largët; janë në të njëjtat terma.
Mendohet ose besohet që, së pari, parimi kryesor i kësaj reforme duhet të jetë domosdoshmërisht decentralizimi. Pra, zbritja e pushtetit sa më afër qytetarit. Si parim, ai quhet subsidiaritet. Pse kjo? Për dy arsye. E para, të mos harrojmë që ne vijmë nga një shoqëri që 30 vjet më parë ishte staliniste, e organizuar me një pushtet që përqendrohej deri te Byroja Politike. Pra, nuk ekziston një qeverisje më e përqendruar se kaq.
Së dyti, nuk duhet të harrojmë që ne po kalojmë një periudhë prej rreth 13–15 vjetësh, e cila po vazhdon ta përqendrojë pushtetin akoma më shumë te një njeri i vetëm, te zoti Rama.
Pra, ne kemi një periudhë të ndërmjetme që duhet ta pranojmë, për të dyja palët, shumë të mirë: reforma e vitit ’92 e qeverisë Meksi, e cila çoi për herë të parë pushtetin, ose të drejtën për të vetëvendosur, në planin lokal. Pra, kryetari i bashkisë tashmë votohej; nuk ishte më si para ’92-shit një kryetar bashkie që emërohej nga Byroja Politike. Kjo reformë e thellë e çoi demokracinë në bazë. Zoti Meksi e quajti këtë në fjalimin e vet të vitit ’92 në Kuvend, kur prezantoi programin e qeverisë, dhe ashtu ndodhi në fakt.
Por nuk mund t’ia mohojmë as Partisë Socialiste që, në vitin 2000, ndërmori një reformë lokale, në këtë koncept për të cilin po flasim, në raport me pushtetin vendor dhe veçanërisht me procesin e decentralizimit që duhet ta shoqërojë atë. Pra, edhe Partia Socialiste, megjithëse një parti e majtë që tenton ta përqendrojë pushtetin, duhet pranuar që bëri një reformë të pranueshme.
Mirëpo, ajo që ndodhi në vitet 2014–2015 ishte një kthim i fortë mbrapa, si në lidhje me parimet, ashtu edhe me konceptet bazike të qeverisjes vendore. Ishte pothuajse një centralizim i ngjashëm me atë të viteve para ’92-shit. Të mos harrojmë: sot kryetarët e bashkive duket sikur votohen, por se si votohet ne e dimë, dhe se si ata emërohen në praktikë nga kryeministri.
Pra, për ta mbyllur këtë, reforma jo vetëm që është e domosdoshme, por duhet parë pa diskutim në këtë sens: jo në kuptimin formal të njësive gjeografike apo demografike sa bashki do të kemi, sa popullsi do të kenë, cilët do të jenë kufijtë por si një reformë që ka në thelb qeverisjen territoriale dhe funksionet që do të kenë këto njësi.