Verstappen trondit Formulën 1: Mund të largohem, nuk po argëtohem më!

Deklaratat e fundit të Max Verstappen kanë shkaktuar një “tërmet” në botën e Formulës 1. Kampioni holandez ka lënë të hapur mundësinë e një largimi të parakohshëm nga ky sport, madje që në fund të këtij sezoni, pavarësisht se kontrata e tij me Red Bull Racing skadon në vitin 2028.

Pas garës në Japoni, ku u rendit vetëm në vendin e tetë pas një dueli të gjatë me Pierre Gasly, Verstappen shpërtheu publikisht duke shprehur pakënaqësinë e tij të madhe. “Nuk e shijoj më këtë Formula 1. Po mendoj seriozisht për të ardhmen time,” deklaroi ai, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi vazhdimësinë e karrierës.

Një nga arsyet kryesore që e shtyn drejt këtij reflektimi është ndryshimi i rregullave në sport, të cilat sipas tij kanë ndikuar negativisht në mënyrën e garimit. “Ka 22 gara në sezon dhe pyes veten nëse ia vlen. Ndoshta do të preferoja të qëndroja më shumë në shtëpi me familjen dhe miqtë, pasi nuk po argëtohem më,” u shpreh holandezi 28-vjeçar.

Katër herë kampioni i botës theksoi se problemi nuk lidhet me rezultatet, por me ndjesinë që i jep drejtimi i makinës. “E di që nuk mund të fitosh gjithmonë, por mënyra si duhet të garosh tani nuk është e këndshme. Përpiqem të përshtatem, por nuk është ajo që dua të bëj,” shtoi ai.

Në fund, Verstappen e bëri të qartë filozofinë e tij: “Fitoret dhe paratë janë të bukura, por unë dua të jem këtu për t’u argëtuar dhe për ta shijuar garën. Aktualisht nuk po ndodh kështu.”

Këto deklarata hapin një skenar të papritur për të ardhmen e njërit prej pilotëve më dominues të viteve të fundit, duke vënë në diskutim jo vetëm karrierën e tij, por edhe drejtimin që po merr Formula 1.