SYRI TV/ Rritja e çmimeve, reagon PD: 40% më shtrenjtë se rajoni
Zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike kanë reaguar ndaj rritjes së ndjeshme të çmimeve në vend. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, akuzoi Kryeministrin Rama se i ka kthyer shqiptarët në turistë ditorë që blejnë karburant, ilaçe dhe ushqime në vendet fqinje. Nga ana tjetër, deputeti Belind Këlliçi i cilësoi tallëse deklaratat e Kryeministrit Rama dhe theksoi se shqiptarët po i blejnë karburantin dhe ushqimet 40% më shtrenjtë se në vendet e rajonit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve në vend. Noka shkruan në rrjetet sociale se arritja e Edi Ramës në këto 13 vite është katandisja e shqiptarëve në turistë ditorë në vendet fqinje për të blerë ushqime e karburant.
“Ç’u bëri Edi Rama shqiptarëve në 13 vjet: i katandisi në ‘turistë ditorë’ në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë e Greqi, për të blerë ilaçe, ushqime e karburant. Medet! As ai vetë s’do ta besonte këtë realitet para 13 vitesh, kur entuziazmohej me rilindjen.”
Po kështu, edhe deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar për rritjen e ndjeshme të çmimeve dhe deklaratat e Kryeministrit Rama në podcastin e së dielës. Këlliçi i cilësoi tallëse deklaratat e Ramës, teksa shqiptarët po blejnë karburantin dhe ushqimet 40% më shtrenjtë se në vendet e rajonit.
“Kryeministri, i cili dje paradite rriti çmimin e naftës në 218 lekë, u shfaq pasdite si opinionist amator, me komente qesharake të tipit: kjo ka ndodhur prej luftës në Iran, bota rrotullohet e plot dokrra si këto. Vetëm për masat që duhej të kishte marrë si Kryeministër nuk tha asnjë fjalë.
Ndërsa sot, në monologun me mikrofon, Edi Rama u shpreh se gjithçka është në rregull. Ai nuk e ul dot çmimin, por po monitoron dhe, sipas tij, gjërat po shkojnë mirë.
Ku po shkojnë gjërat mirë, përveçse në oborrin e tij?! Si duhet të tingëllojnë këto fjalë tek qytetarët që e marrin karburantin dhe shumë prej ushqimeve 40% më shtrenjtë se në vendet e rajonit, ndërkohë që kanë të ardhurat më të ulëta në kontinent?!
Këlliçi shkruan se, teksa vendet e tjera të rajonit kanë ndërhyrë te taksat dhe kanë miratuar paketa financiare lehtësuese e mbështetëse, Edi Rama ka vetëm fjalë, premtime për të ardhmen dhe tallje. Këlliçi thotë se kësaj sjelljeje njerëzit duhet t’i japin përgjigjen që meriton dhe fton qytetarët të bashkohen sërish në protestën e 17 prillit.”