SYRI TV/ 'Pensioni, i pamjaftueshëm për të jetuar', 70-vjeçari në Tepelenë shet në rrugë

SYRI TV

Kasem Xhima është 72-vjeç, ndërsa prej 15-vjetësh ka zgjedhur të punojë, duke nxjerrë të ardhura për të mbajtur familjen. Atë e gjen çdo ditë në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ku tregon se pensioni është i pamjaftueshëm për të mbajtur frymën, ndërsa shpopullimi i vendit ka ulur edhe të ardhurat nga ajo që mund të quhet biznesi i tij i shitjes së bimëve medicinale. I moshuari tregon gjithashtu se prej vitesh bashkëshoqëruese e tij në rrugë është dhe një dhi, të cilën e ka pagëzuar me emrin Tushja.

Prej 15 vitesh ai punon si tregtar ambulant pranë Ujit të Ftohtë, në aksin Gjirokastër–Tepelenë. Çdo mëngjes, që në orën 6:00, e deri në mbrëmje, pavarësisht të ftohtit apo kushteve teë vështira, ai qëndron në rrugë duke shitur produkte natyrore.

Bimët medicinale janë burimi i vetëm i të ardhurave për të. Në tezgën e tij mund të gjesh çaj mali, dafina, kamomil, sherebelë, rigon, trumzë dhe mente, të mbledhura me kujdes dhe të ofruara për kalimtarët.

Si pensionist, ai tregon se të ardhurat nuk i mjaftojnë dhe kjo është arsyeja pse detyrohet të punojë edhe në këtë moshë. Dimri është edhe më i vështirë, por ai nuk ndalet.

Në krah të tij është gjithmonë Tushja, dhia që e shoqëron çdo ditë në punë dhe që sot është 9 vjeçe. Për Kasemin, ajo nuk është thjesht një gjedh, por pjesë e pandarë e përditshmërisë së tij në rrugë.

Mes vështirësive ekonomike dhe punëve të rënda, ai tregon se çdo vit situata bëhet edhe më e vështirë. Sipas tij, largimet masive të popullsisë kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e konsumit, duke e bërë edhe më të vështirë shitjen e produkteve.