Organizonte lojëra fati me celular në lokal, arrestohet 58-vjeçari

Policia ka goditur një tjetër rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Krumës, duke vënë në pranga një 58-vjeçar. Në kuadër të kontrolleve të bazuara në informacionet operative, strukturat e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasin G. R., banues në Krumë.

Sipas hetimeve paraprake, 58-vjeçari dyshohet se organizonte lojëra fati në mënyrë të paligjshme në ambientet e lokalit të tij, duke përdorur celularë. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një celular, skedina dhe një sasi parash të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari.

Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet për goditjen e lojërave të fatit të paligjshme do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.