Tiranë/ U kap 'mat' duke shitur pistoletë, arrestohet 40-vjeçari, në pranga edhe shoqëruesi
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Qëllimi”, duke goditur një rast të tentativës për shitje të armëve të zjarrit.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, I. M., 40 vjeç dhe A. S., 35 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Sipas policisë, 40-vjeçari u kap teksa lëvizte me automjet në zonën e njohur si “Zona e Treshit”, me qëllim shitjen e një arme zjarri. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me municion luftarak, e cila posedohej pa leje.
Ndërkohë, në pranga u vu edhe 35-vjeçari që e shoqëronte, i dyshuar për moskallëzim krimi.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.