Dëbora shkatërron sythat e pemëve frutore në Elbasan, fermerët kërkojnë ndihmë

Dëbora, e cila përfshiu zonat malore të qarkut të Elbasanit, ka dëmtuar ndjeshëm plantacionet e pemëve frutore, veçanërisht qershitë dhe kumbullat në zonën e Pashtreshit, e njohur ndër vite për kultivimin e tyre.

Fermerët shprehen se kjo dëborë në pranverë ka tharë çdo syth në plantacionet e tyre, gjë që pritet të ulë rendimentin deri në 40 për qind krahasuar me vitet e shkuara.

Disa prej tyre raportojnë dëmtime të plota të pemëve. Të shqetësuar, ata tregojnë se shpenzimet për mirëmbajtjen dhe rritjen e këtyre pemëve janë të larta dhe tashmë gjithçka ka shkuar dëm.

Megjithëse kjo është e vetmja punë me të cilën shumë banorë të zonës sigurojnë jetesën, këtë vit ata shprehen se nuk do të kenë produkt për të nxjerrë në treg.

Dëmi financiar si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore është shumë i madh, ndërsa shpresa për kompensim është zbehur, pasi, sipas tyre, shteti ka qenë i munguar dhe nuk u ka ardhur kurrë në ndihmë.

Dëmtime në pemët frutore janë raportuar edhe në Polis Valë dhe Polis Gureshpate, në bashkinë e Librazhdit. Këto plantacione u dëmtuan edhe vitin e kaluar, por asnjë institucion nuk u erdhi në ndihmë fermerëve.