Shumë iranianë të painformuar për zhvillimet e luftës

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Iran mbeten të painformuar për mënyrën se si po zhvillohet lufta, mes kufizimeve të forta të informacionit dhe raportimeve kontradiktore për situatën në terren.

Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, zhvillimet e fundit – përfshirë vrasjen e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe zyrtarëve të tjerë të lartë – kanë çuar në forcimin e figurave më radikale, të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike.

BBC raporton se qytetarë të intervistuar shprehin shqetësim për pasojat e mundshme. Një banor në veri të Iranit paralajmëron për rrezikun e një “lufte civile”, ndërsa shton se mungesa e ndryshimit politik mund të çojë në emigrim masiv, përkeqësim të gjendjes psikologjike dhe rritje të rasteve të vetëvrasjes.

Reagimet ndaj sulmeve, sipas dëshmive, kanë qenë të ndryshme. Disa qytetarë i kanë përjetuar ato me indiferencë, madje duke i krahasuar me një ndeshje futbolli, ndërsa të tjerë kanë përjetuar frikë të madhe. Një grup i vogël mbështetësish të regjimit raportohet të kenë reaguar me zemërim dhe qëndrim sfidues.

Ndërkohë, një tjetër qytetar që është larguar nga Teherani drejt zonave rurale thekson se shumë njerëz nuk kanë informacion të saktë për zhvillimet, për shkak të kufizimeve në internet dhe kostos së lartë të përdorimit të VPN-ve.

Sipas tij, ata që mbështeten vetëm te mediat shtetërore, veçanërisht jashtë kryeqytetit, marrin një pasqyrim të shtrembëruar të luftës, larg realitetit në terren.