Shijak/ Zbulohet magazina ku kultivohej kanabis, 4 të arrestuar - 1 person në kërkim
Policia e Shijakut ka finalizuar operacionin e koduar “Përshtatja”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Gjatë kontrolleve të ushtruara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u zbulua një magazinë në lagjen “Popullore”, e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe pajisjeve të posaçme. Sipas hetimeve, ambienti furnizohej me energji elektrike përmes lidhjes së paligjshme.
Në pranga janë vënë 4 shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë: L. K., 54 vjeç dhe J. Gj., 31 vjeç, të dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” në bashkëpunim; S. D., 24 vjeç, për “Moskallëzim krimi” dhe R. B., 61 vjeç, punonjës i OSHEE-së, për “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur D. K., 25 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në magazinë, Policia sekuestroi 180 vazo ku dyshohet se ishin kultivuar më parë bimë kanabisi, mbetje të lëndës narkotike, si dhe një sërë pajisjesh të përdorura për kultivim, përfshirë llamba elektrike, ventilatorë, sistem aspirimi, pompë uji dhe pajisje elektrike.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambienti ishte marrë me qira dhe ishte përshtatur për këtë veprimtari të paligjshme nga disa prej të arrestuarve, ndërsa një punonjës i OSHEE-së dyshohet se nuk kishte raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë.
Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.