Vrasja e gazetarëve në Liban/ Irani: Alarm serioz për botën...

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e ka cilësuar vdekjen e tre gazetarëve në Liban si një “alarm serioz” për ndërgjegjen globale, duke dënuar ashpër sulmet.

Sipas tij, humbja e jetëve të gazetarëve nuk përbën vetëm një goditje për komunitetin mediatik në rajon dhe në botë, por edhe një sinjal shqetësues për sigurinë e medias në zonat e konfliktit.

Gazetari Ali Shoeib, i cili punonte për Al Manar TV – një rrjet i lidhur me Hezbollahun – si dhe dy gazetarët e Al Mayadeen, Fatima dhe Mohamed Fetoni, humbën jetën në një sulm ajror izraelit në qytetin Jezzine.

Në një reagim në rrjetet sociale, Araghchi e cilësoi sulmin si një “atentat të qëllimshëm”, duke e akuzuar Izraelin për përpjekje për të “heshtur zërat që raportojnë të vërtetën”.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka konfirmuar se ka vrarë Ali Shoeib gjatë një sulmi, por pretendon se ai ishte një operativ i Hezbollahut që vepronte nën petkun e gazetarit.

Kjo shënon herën e dytë që Izraeli përballet me akuza për shënjestrimin e gazetarëve në Liban që nga nisja e konfliktit, duke rritur shqetësimet për mbrojtjen e gazetarëve në zonat e luftës./BBC