Presidentja Osmani ia kishte refuzuar Gashit kërkesën për mbështetje financiare të ekspozitës së tij për masakrat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte refuzuar vitin e kaluar një kërkesë zyrtare nga Shkëlzen Gashi si drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Admovere” për mbështetje të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.

Në kërkesën e siguruar nga gazeta online Reporteri.net, Admovere  kishte theksuar “se forma më e denjë për organizimin e kësaj ekspozite do të ishte nën patronazhin e së parës së shtetit”.

Sipas dokumentit, ekspozita ishte planifikuar të hapej më 16 qershor 2025 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, në rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Aty theksohej se qëllimi i kësaj ekspozite është të ruajë kujtesën kolektive për viktimat civile të luftës, të nxisë reflektim mbi të kaluarën, dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme, të pajtuar me të vërtetën dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme.

“Duke e konsideruar peshën simbolike, përmbajtësore dhe përkujtimore të kësaj ekspozite, kemi bindjen e thellë se forma më e denjë e realizimit të saj do të ishte nën patronazhin e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë kushtetues dhe përfaqësues i unitetit të popullit, si dhe si mbrojtës i të drejtave dhe dinjitetit të viktimave civile të luftës.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e punës dhe agjendës suaj institucionale, do ta vlerësonim thellësisht mundësinë që ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999″ të realizohet me mbështetjen dhe nën patronazhin Tuaj. Një mbështetje e tillë do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për suksesin, legjitimitetin dhe mesazhin e kësaj ekspozite, sidomos për publikun ndërkombëtar”, thuhej në kërkesë.

Dokumentit i ishte bashkangjitur edhe një plan financiar, ku vlera totale e projektit figuron 25 mijë euro.

Pas reagimeve të mëdha për pasaktësi, sot janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat e ekspozitës me të dhëna për masakrat e luftës në Kosovë.

Përmbajtja ka qenë pjesë e ekspozitës së organizuar nga organizatat joqeveritare, INTEGRA dhe ADMOVERE, me përkrahje të Kuvendit të Kosovës.

Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, hoqi përgjegjësinë, duke thënë se është shërbyer me të dhëna të disa organizatave, përfshirë ato të Fondit për të Drejtën Humanitare, për çka u përgënjeshtrua nga ky fond.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu në anën tjetër, ka thënë se vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës mbi masakrat në Kosovë, është marrë në Kryesinë e Kuvendit, në përputhje të plotë me Rregulloren për subvencionim.

Teksa ka shkruar se mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë, Haxhiu ka thënë se ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional.

Për këtë çështje është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale, e cila ka thënë se në përputhje me kompetencat ligjore, kjo çështje do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.