Universitetet e Iranit në flakë, sulmet gjatë natës shkaktojnë dëme të mëdha

 

Disa zona në kryeqytetin iranian u goditën nga sulmet e orëve të vona, duke përfshirë edhe Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Iran (IUST).

Një video amatore, e publikuar në mediat ndërkombëtare, tregon godinën e Fakultetit të Gjuhëve, të përfshirë nga zjarri.

Në pamje shihen po ashtu shkëndija dhe tym që dalin nga Fakulteti i Mësuesisë, ndërsa në terren shfaqet një pirg rrënojash.

Marrja e videove dhe fotografive nga brenda Iranit është bërë më e vështirë që nga fillimi i luftës, pasi autoritetet po kufizojnë rëndë qasjen në internet për shumicën e iranianëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, në një postim në X, ka dënuar sulmet ndaj dy universiteteve në Iran; Universitetit të Teknologjisë Isfahan në Iranin qendror dhe Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë në Teheran.

Baghaei akuzon SHBA-në dhe Izraelin se po përpiqen të dëmtojnë ‘themelin shkencor dhe trashëgiminë kulturore të vendit duke synuar sistematikisht universitetet, qendrat kërkimore, monumentet historike dhe shkencëtarët e shquar’.

Ai ka thënë gjithashtu se pretendimet e SHBA-së dhe Izraelit për kundërshtimin e programit bërthamor të Iranit dhe kërcënimet nga Teherani nuk ishin gjë tjetër veçse pretekste të liga dhe ‘thjesht trillime të fabrikuara për të fshehur qëllimin e tyre të vërtetë’.