‘Gabova që luajta me dhimbje’/ Jude Bellingham rrëfen operacionin dhe sakrificën për Realin
Mesfushori i Realit të Madridit, Jude Bellingham, ka rrëfyer në detaje periudhën e vështirë me dëmtimin e shpatullës, duke pranuar se gaboi që vazhdoi të luante me dhimbje.
Në një video në kanalin e tij në YouTube, anglezi tregoi se problemi filloi që te Borusia e Dortmundit, ku mjekët i rekomanduan operacion: “Në sezonin tim të fundit në Dortmund më thanë se duhej të operohesha pas një rënieje të keqe. E dija që diçka nuk ishte në rregull, por ishte periudhë Botërori dhe vendosa të mos e bëja”.
Pas transferimit te Reali, fillimisht nuk kishte dhimbje, por gjithçka ndryshoi në ndeshjen ndaj Rajo Vajekanos: “Ishte ndjesia më e dhimbshme që kam përjetuar ndonjëherë. Dukej sikur zgjati përgjithmonë derisa ma vendosën shpatullën në vend”.
Pavarësisht këshillave të mjekëve, ai vendosi të vazhdonte sezonin: “Të gjithë më thanë të bëja operacion, por ishte viti im i parë në Madrid dhe nuk doja të zhgënjeja ekipin”.
Bellingham pranoi se dëmtimi ndikoi në lojën e tij: “Nuk mund të performoja në maksimum, sepse gjithmonë kisha frikë se mos e dëmtoja sërish”.
Ai zbuloi se momenti ideal për ndërhyrje ishte pas humbjes së finales së Euro 2024 ndaj Spanjës: “Nuk doja që ajo të ishte ndeshja ime e fundit për tre muaj, por do të kishte qenë koha më e mirë për operacion. Vendosa të vazhdoja dhe nuk duhet ta kisha bërë”.
Tashmë, mesfushori i Anglisë thotë se është në gjendje më të mirë fizike dhe gati të rikthejë nivelin e tij më të lartë.