Kuqezinjtë humbën Botërorin, Silvinjo dilemë për të ardhmen/ Duka vendos për trajnerin pas Ukrainës
Shqipëria humbi mbrëmjen e së enjtes shansin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke mbyllur një ndeshje historike në Varshavë me eliminim për kuqezinjtë. Pavarësisht një paraqitjeje pozitive dhe rasteve të shumta të humbura, ëndrra për “ëndrrën amerikane” përfundoi në një mbrëmje të hidhur.
Me eliminimin nga “play-off”-i, kontrata e trajnerit brazilian Silvinjo pritet të përfundojë praktikisht në korrik, edhe pse skadimi origjinal ishte në dhjetor 2025. Afati u shty për të mbuluar një mundësi historike për kualifikim në Botëror, por tashmë e ardhmja e tij mbetet e paqartë dhe vendimi për rinovimin ose përfundimin e bashkëpunimit do të diskutohet pas ndeshjes me Ukrainën.
Shqipëria do të ketë ndeshje miqësore në qershor, dhe nëse Silvinjo largohet, trajneri i ri do të ketë mundësi të njohë skuadrën para Ligës së Kombeve, një kompeticion që mund të përdoret për të provuar lojtarë të rinj dhe përgatitur ekipin për Europianin e tretë.
Trajneri brazilian shmangu komentet mbi kontratën pas ndeshjes me Poloninë, duke theksuar vetëm përpjekjen dhe profesionalizmin e lojtarëve. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që më parë kishte lidhur Ttë ardhmen e Silvinjos me kualifikimin në Botëror, tashmë do të vendosë pas eliminimit dhe ndeshjes së ardhshme me Ukrainën.