'Nëse doni siguri, mos ndihmoni SHBA-të' Presidenti i Iranit paralajmëron vendet e Gjirit Persik! Pakistani nis bisedimet
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka deklaruar se ka pasur “diskutime të gjera” me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, mbi armiqësitë rajonale në zhvillim dhe mbi përpjekjet për ti dhënë fund luftës.
Pezeshkian është informuar mbi përpjekjet diplomatike të Pakistanit, të kryera nga ministri i Jashtëm Ishaq Dar dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Marshal Asim Munir, për të përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendet e Gjirit dhe vende të tjera islame, me qëllim krijimin e kushteve të favorshme për bisedimet e paqes, njofton zyra e Sharif.
Ndërkohë presidenti i Iranit paralajmëroi sërish vendet e Gjirit Persik, se për të shmangur sulmet nuk duhet të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
“Kemi përsëritur disa herë se Irani nuk kryen sulme parandaluese, por do të reagojmë me forcë nëse infrastruktura ose qendrat tona ekonomike do të goditen,” shkroi presidenti Masoud Pezeshkian në X.
“Vendet e rajonit: nëse dëshironi zhvillim dhe siguri, mos lejoni që armiqtë tanë të zhvillojnë luftë nga territoret tuaja,” paralajmëroi ai.
Reuters shkruan se Pakistani do të presë Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin për bisedime nga e diela mbi luftën e Iranit.
Islamabadi pozicionohet si një vend i mundshëm për negociatat SHBA-Iran mbi konfliktin njëmujor.
Ministrat e jashtëm të katër vendeve do të zhvillojnë “diskutime të thella mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet për të ulur tensionet në rajon” gjatë bisedimeve dy-ditore, tha ministria e jashtme e Pakistanit në një deklaratë të shtunën, raporton Reuters.