Herë si punonjës i AKU-së, herë i IKMT-së a i Tatim Taksave - I riu mashtroi 35 biznese! U merrte nga 200 - 600 euro
Një 26-vjeçar në Gjirokastër është arrestuar nga policia pasi akuzohet se mashtroi disa biznese duke u prezantuar si zyrtar i institucioneve shtetërore. Luciano Mahilaj prezantohej si si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj. Sipas policisë i riu kishte arritur të mashtronte mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat duke u marrë shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast.
26-vjeçari u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, në qytetin e Sarandës.
Njoftimi
Si rezultat i një hetimi të kryer me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të një shtetasi i cili mashtronte bizneset dhe subjektet tregtare duke u paraqitur si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj., specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “The End”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në qytetin e Sarandës, duke marrë nëpërmjet mashtrimit një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një shtetas, dhe u vu në pranga shtetasi L. M., 26 vjeç, banues në Sarandë.
Nga hetimet e kryera është dokumentuar se shtetasi L. M., ka mashtruar, me qëllim përvetësimin e shumave të parave, 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete të ndryshme si në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier, Berat etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.
Vijon hetimi me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.