Alarmi/ 8 ton mbetje çdo ditë shkarkohen pranë shtratit të lumit Vjosa, i shpallur Park Kombëtar
Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Tepelenë shkarkohen çdo ditë rreth 8 ton mbetje, duke krijuar një situatë problematike për zonën përreth. Sasia e madhe ka avancuar deri në pushtimin e nënstacionit elektrik, duke rritur rrezikun e ndotjes dhe kontaminimit të lumit Vjosa. Bashkia pretendon se ka një projekt për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve, i cili momentalisht ka mbetur vetëm në letra.
Nga Syri TV
Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Tepelenë shkarkohen çdo ditë rreth 8 ton mbetje, duke krijuar një situatë problematike për zonën përreth. Sasia e madhe e mbetjeve ka avancuar deri në pushtimin e nënstacionit elektrik, duke rritur shqetësimet për rrezik potencial dhe ndotje të mjedisit.
Kjo situatë vazhdon dhe përkeqësohet me kalimin e ditëve, teksa ndotja mjedisore rrezikon edhe kontaminimin e lumit Vjosa, pasi në mungesë të një venddepozitimi të mbetjeve ato po shkarkohen çdo ditë edhe më afër shtratit të lumit.
Sipas Bashkisë Tepelenë, është siguruar financim nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve. Një projekt që parashikon masa konkrete, përfshirë mbylljen e venddepozitimit aktual dhe ndërtimin e një stacioni transferimi, i cili do të mundësojë transportimin e mbetjeve drejt Bajkajt, në përputhje me standardet e legjislacionit mjedisor.
Pavarësisht pretendimeve të autoriteteve lokale, ky projekt ende mbetet vetëm në letra, pa pasur asnjë masë konkrete.