Napoli i vendos ultimatum Lukakut
Napoli dukej se po kthehej në javët e fundit në luftën për titull në Itali, por te skuadra kampione në fuqi e Serisë A, ka shpërthyer një çështje që pakkush e priste.
Mediat italiane kanë zbuluar për një përplasje mes Romelu Lukakut dhe klubit sa i përket kthimit të tij në Itali për stërvitjen.
Lukaku u tërhoq nga grumbullimi i Belgjikës me motivimin se kërkonte të kthehej në formë sa më të mirë për të qenë në gjendje që të luftonte me Napolin për titullin në muajt e fundit të sezonit.
Por futbollisti nuk u kthye në Itali, ashtu siç pritej, duke vendosur që të qëndronte në Antverpë për të vazhduar atje përgatitjet individuale gjatë ditëve të pauzës së kombëtareve.
Një vendim që ka acaruar klubin, i cili e priste në Itali dhe kishte lëshuar një komunikatë rreth lojtarit dhe kthimit të tij në qytet.
Sipas “Sky Sport”, as ndërhyrja e drejtorit sportiv Mana nuk ka bindur Lukakun që të kthehet në Napoli dhe tashmë pritet që klubi të marrë masa disiplinore ndaj tij.
Për më tepër, bëhet e ditur se nëse ai nuk kthehet brenda ditës së martë, kur grumbullohen edhe lojtarët e tjerë, mund të vendoset përjashtimi i tij nga ekipi për një kohë të pacaktuar. Një telash më vete në momentin më delikat të sezonit, ku napolitanët synonin të ishin përsëri në garë me Interin dhe Milanin për fronin në kampionatin italian.