Edin Džeko: Mes Italisë dhe Bosnjës nuk ka skuadër favorite, Botërori do të thotë gjithçka

Sulmuesi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Edin Džeko, ka folur për sfidën vendimtare ndaj Italisë, e vlefshme për finalen e play-off-it për Botërorin. Në prag të përballjes që do të zhvillohet në Zenicë, veterani theksoi se nuk ka një ekip favorit.

“Është e vështirë të thuhet se kush është favorit. Edhe pse luajmë në shtëpi, nuk mund të konsiderohemi të tillë”, u shpreh Džeko, duke vlerësuar forcën e kundërshtarit.

Bosnja vjen në këtë sfidë pas një kualifikimi dramatik ndaj Uellsit, të cilin e eliminoi pas goditjeve të penalltive. “Ishte një ndeshje e madhe ndaj një rivali të fortë. Kemi treguar cilësi, por edhe pak fat. Tani duhet të rikuperohemi dhe të përgatitemi për Italinë”, shtoi ai.

Në fund, Džeko theksoi rëndësinë e kualifikimit: “Të shkojmë në Botëror do të thotë gjithçka. Jo vetëm për mua, por edhe për gjeneratën e re. Ka shumë talent në këtë skuadër dhe do të ishte fantastike për të ardhmen e tyre”.