Zhgënjimi ndaj Polonisë - ‘Fija e perit’ që ndau Sylvinho-n ‘magjistar’ me atë ‘dështak’

Nga Adi Metaliu

Pas faktit, gjithkush mund të bëhet trajner apo analist i zoti, të gjejë një mori gabimesh të trajnerit, i cili si gjithmonë është i dënuar të marrë barrën e rëndë të dështimin kur objektivat nuk arrihen. Ligji i futbollit është i qartë: në fund ka vlerë rezultati, arritja ose jo e qëllimit.

Trajneri aktual i Shqipërisë, Sylvinho me siguri do të kalojë net të tëra pa gjumë, më ëndrra botërori dhe lavdie personale, por dhe zgjime plot makth për një objektiv që ishte shumë pranë dhe që mbeti thjesht një mirazh. Çfarë bëri dhe ku gaboi? Nëse do të kishte mundësi të kthehej pas, çfarë do të ndryshonte?

Formacioni titullar, Muçi e Mehmeti jashtë

Kritikat e para dhe të forta për brazilianin lidhen me formacionin titullar. Me Manajn dhe Dakun të dëmtuar, për ndeshjen me Poloninë u grumbulluan dy sulmuesit më në formë për momentin: Ernest Muçi (Trabzonspor) dhe Anis Mehmeti (Ipswich). Asnjë prej tyre nuk u preferua në formacionin startues, me shpjegimin që tekniku brazilian është besnik i ideve të veta dhe u beson lojtarëve që e kanë çuar Shqipërinë në play off. Një vendim i kuptueshëm dhe i vlerësueshëm për atë që bëri Shqipëria në pjesën e parë. Përveç kaosit të minutave të para, ‘sëmundje’ e vjetër kjo e kuqezinjve, gjithçka ishte perfekte: asnjë rast serioz në portën e Strakoshës dhe gol nga Arbër Hoxha, pas një gabimi amatoresk te Bednarek. Lexim perfekt paraprakisht i ndeshjes nga Sylvinho, i cili nuk i kishte dhënë kundërshtarit referenca në sulm, për ta goditur në momentin e parë që do të gabonte.

Lexo dhe: Humbje e dhimbshme në Varshavë, kuqezinjtë shpërdorojnë raste dhe përmbysen nga Polonia

Përmbysja e polakëve dhe gabimet që kushtuan në sulm

Ishte thuajse i njëjti skenar i ‘vënë në lojë’ gjatë ndeshjes ndaj Kroacisë në Europian. Polonia do të luante gjithçka për gjithçka në pjesën e dytë, duke lënë hapësira që mezi i pret një ekip që luan i mbyllur pas.

Në minutën 54-t, pas një galopimi prej 70 metrash të Hysajt, Bajrami gjendet i vetëm në zonë, por godet jashtë për të humbur golin që me siguri do të kishte vulosur kapitullimin e Polonisë. Ligji i futbollit, ‘kur nuk shënon, e pëson’,  godet rreptë kuqezinjtë: Lewandoëski realizon në shtyllën e dytë pas një gabimi të dyfishtë: të Strakoshës në dalje dhe Hysajt në markim.

Sylvinho ndërhyn menjëherë me zëvendësime, duke hedhur në fushë Brojën dhe prurjen e re Pilo. Pikërisht ky i fundit, humb një tjetër rast të pabesueshëm, pas asistit të dhënë nga Broja. Ai ligj i rreptë i futbollit ndëshkon sërish, pa pikë mëshire: Zielinski përmbys shifrat në 2-1, duke shfrytëzuar një hapësirë që nuk i duhej lejuar.

Lexo dhe: Silvinjo nuk pranon kritika për zgjedhjet: Kush mund të thoshte para tre vitesh që do ishim këtu?

Aktivizimi i vonë i Muçit dhe Mehmeti përfundimisht pa minuta

Kamerat e fokusojnë disa herë Sylvinho-n duke biseduar me ndihmësit e tij për lëvizjen e radhës. Pas disa minutash pasigurie, hidhet në fushë Ernest Muçi. Ishte minuta e 83-të, kur e gjithë Polonia do të rreshtohej pas për të mbrojtur me fanatizëm rezultatin. Pse nuk u aktivizua më herët Muçi? Pse nuk iu dha mundësia Anis Mehmetit? Vendimet e Sylvinho-s në pjesën e dytë, ndoshta disi të vonuara dhe joefikase në radhë, do të jenë forca në 'shpatën' e kritikëve, që do të kërkojnë ‘kokën’ e trajnerit brazilian. Nëse Bajrami ose Pilo do të ruanin kthjelltësinë në momentet e arta në zonën e Polonisë, ndoshta sot do të flisnim për një trajner, gjenialiteti i të cilit na kishte çuar në finalen e play off-it. Por, nuk ishte e thënë të gëzonin zëmrat kuqezi: Sylvinho tani duhet të japë llogari për vendimet e tij, mbi të gjitha për aktivizimin e vonë të Muçit dhe mosmarrjen në konsideratë të Anis Mehmetit.