Revolucion në arbitrim, FIFA miraton pesë rregulla të reja për Botërorin 2026

FIFA ka miratuar pesë ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës, të cilat do të aplikohen që nga FIFA World Cup 2026, që nis më 11 qershor me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Ndryshimi më i diskutuar lidhet me përdorimin e VAR-it. Tashmë, sistemi i video-asistencës do të ketë të drejtë të ndërhyjë edhe në rastet e kartonit të dytë të verdhë, duke e anuluar atë nëse konsiderohet i gabuar. Kjo risi synon të shmangë polemikat e tipit “Bastoni”, që kanë ndezur debat në të kaluarën.

Po ashtu, VAR-i mund të korrigjojë edhe vendime të tjera, si për shembull dhënia e një goditjeje këndi të akorduar gabimisht, duke e anuluar atë përpara se të ekzekutohet.

Një tjetër rregull i ri ka të bëjë me menaxhimin e kohës. Lojtarët që zëvendësohen do të duhet të dalin nga fusha brenda 30 sekondave. Nëse e tejkalojnë këtë limit, futbollisti që hyn në lojë do të duhet të presë 60 sekonda përpara se të aktivizohet, duke lënë skuadrën përkohësisht me 10 lojtarë.

Risi ka edhe për rifillimet e lojës: goditjet nga këndi dhe anësoret duhet të ekzekutohen brenda 5 sekondave nga sinjali i arbitrit. Në të kundërt, topi do t’i kalojë skuadrës kundërshtare.

Ndërkohë, është konfirmuar sërish rregulli që vetëm kapiteni ka të drejtë të komunikojë me arbitrin. Çdo lojtar tjetër që afrohet për të protestuar rrezikon ndëshkim me karton të verdhë.

Së fundi, ndryshime janë bërë edhe për lojtarët e dëmtuar. Nëse një futbollist merr ndihmë mjekësore në fushë, ai do të duhet të dalë jashtë dhe të presë të paktën një minutë përpara se të rikthehet në lojë. Përjashtim bëjnë rastet kur ndërhyrja ndëshkohet me karton të verdhë.

Këto rregulla synojnë të rrisin drejtësinë në vendimmarrje, të shmangin humbjen e kohës dhe të përmirësojnë rrjedhshmërinë e lojës në kompeticionin më të madh të futbollit botëror.