Eliminimi i Shqipërisë 'ndez' Fierin/ Tifozët shpërthejnë pas humbjes në Varshavë, dëmtohen dekorimet në qytet

 

Eliminimi i kombëtares shqiptare në gjysmëfinalen e Play-Off-it për Botërorin, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë, ka sjellë jo vetëm zhgënjim, por edhe tensione të forta në qytetin e Fierit.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, një grup tifozësh fierakë, të revoltuar nga rezultati, kanë shpërthyer duke dëmtuar zbukurimet e vendosura në qendër të qytetit.

Sipas burimeve nga vendngjarja, dekorimet janë shkatërruar me mjete të forta, ndërsa situata ka qenë e tensionuar për disa minuta.

Ndërkohë, në një tjetër incident të ndodhur po në qytet, një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur në rrethrrotullimin e Sharrës.

LEXO EDHE: Humbje e dhimbshme në Varshavë, kuqezinjtë shpërdorojnë raste dhe përmbysen nga Polonia

Nuk dihet ende nëse ngjarja ka lidhje direkte me tensionet e krijuara pas ndeshjes.

Ironikisht, vetëm pak orë para sfidës, në qendër të Fierit ishte shpalosur një flamur gjigant kuqezi mbi një godinë, si simbol mbështetjeje për kombëtaren.

LEXO EDHE: Gjimshiti: Kishim rast për 2-0 dhe 2-1, Kombëtarja nuk e meritonte këtë eliminim

Një atmosferë festive që u zëvendësua shpejt nga zhgënjimi dhe zemërimi, pas humbjes që i preu rrugën Shqipërisë drejt një ëndrre botërore.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e vandalizmit, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe shmangie të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.