Shehu: Diviza e shëndetësisë rilindase, ‘O paguaj o vdis’, në veprim!
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka reaguar me një shënim në faqen tij në facebook në lidhje me situatën dramatike në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor në Shqipëri.
Postimi:
Diviza e shëndetësisë rilindase, ‘O paguaj o vdis’, në veprim!
1- Po i kthehem për të shumtën herë çështjes të mos trajtimit në QSUT të pacientëve me trombemboli cerebrale, ndërsa angiografi tashmë “fle” aty!
Trajtimi i këtyre rasteve është “tromboektomia” e realizuar brenda 3-4 orëve.
Ndryshe shumica e pacientëve Vdesin.
Pjesa tjetër ngel me deficite shumë të rënda.
Në të gjithë sistemin publik, dhe QSUT kjo procedurë nuk realizohet akoma!!!
Vazhdon të kryhet te privati ku qytetari duhet të paguajë rreth 30 mijë E.
Ministria e Shendetësisë prej vitesh justifikohej se mungonte një angiograf biplan për këtë procedurë të një niveli të urgjencës ekstreme, për Jetë ose Vdekje!
Dhe as e sillte pajisjen e as rimbursonte e as rimburson edhe sot qytetarin kur e realizon tek privati.
---Më në fund kjo pajisje është e instaluar prej mbi një viti në QSUT me një financim ndërkombëtar.
Por rezultati tashmë është edhe më tragjik e kriminal:
Sepse akoma kjo procedurë nuk i ofrohet aty publikut, ndërsa qytetarët duhet të paguajë 30 mijë E, te privati!
Ku e realizojnë me sukses mjekët shqiptarë.
Ndërsa në QSUT jo, angiografi i ri nuk sherben.
Ndërkaq pacientët “O paguajnë ose vdesin”
2-Dhe diçka tjetër, Qytetarët nuk duhet të sëmuren mbas datës 20 të çdo muaji, se paku për gjithë këtë vit, se dhe laboratorët publikë nuk funksionojnë!
Përsëri motoja “O paguaj o vdis”!
Ky është realiteti i shendetësisë “falas” të Rilindjes, në shkelje të të drejtave themelore të njeriut, duke realizuar “Krim ndaj njeriut”!
Por dhe i një prokurorie e organeve hetimore, që “flenë gjumë” ndërsa qytetarëve “ju rripet lekura” për të paguar…Ose do të Vdesin!