Capello shpërthen nga emocionet: Kam bërtitur si i çmendur, Italia tregoi shpirt
Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, nuk e ka fshehur entuziazmin pas fitores së Italisë ndaj Irlandës së Veriut, sukses që u siguroi “azzurrëve” kualifikimin në finalen e playoff-it për FIFA World Cup 2026.
Në një intervistë, Capello rrëfeu emocionet e forta gjatë ndeshjes, duke treguar lidhjen e veçantë që ka me Kombëtaren italiane. “Kam bërtitur si i çmendur në divan. Për mua Kombëtarja është shumë më tepër se një skuadër”, u shpreh ai.
Megjithatë, tekniku me eksperiencë analizoi edhe performancën në fushë, duke theksuar se në pjesën e parë skuadra e drejtuar nga Gennaro Gattuso nuk ishte në nivelin e duhur.
“Skuadra ishte shumë e ngadaltë dhe me pak intensitet. Kundërshtari vendosi forcë fizike dhe përqendrim, duke mos na lejuar të jemi të kthjellët në 30 metrat e fundit. Kjo bëri që të kishim vështirësi në krijimin e rasteve”, analizoi Capello.
Duke parë përpara, ai komentoi edhe finalen ndaj Bosnjë Hercegovinës, duke e cilësuar një kundërshtar më cilësor se Irlanda e Veriut, por jo domosdoshmërisht më të vështirin e mundshëm.
“Bosnja ka teknikë të mirë dhe është më e fortë se Irlanda e Veriut. Por, për sinqeritet, Uellsi do të kishte qenë një pengesë më e komplikuar, sidomos në fushën e tyre”, theksoi ai.
Në fund, Capello vlerësoi shpirtin luftarak të Italisë dhe qasjen e Gattusos në stol.
“E pashë Gattuson të tensionuar, siç është normale, por edhe shumë të karikuar. Përtej mangësive, kjo skuadër tregoi shpirt dhe luftoi. Si italian, e di që kemi pasur ekipe më të forta, por ajo që nuk mund të pranoj është mungesa e krenarisë dhe agonizmit. Këtë herë, Italia i tregoi të dyja”, përfundoi Capello.