Asllani, optimist para Turqisë: Do të japim maksimumin dhe do ta kallim stadiumin

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, është shfaqur i bindur dhe plot besim para përballjes së rëndësishme ndaj Turqisë, duke paralajmëruar një atmosferë të zjarrtë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Pas fitores së fundit ndaj Sllovakisë, futbollisti që aktivizohet te TSG Hoffenheim theksoi se suksesi i arritur ishte thelbësor për moralin e skuadrës, ndërsa tani e gjithë vëmendja është zhvendosur te sfida e radhës.

“Çdo gol ka pasur rëndësinë e vet, por jam shumë i lumtur që arrita të shënoj sërish. Më e rëndësishmja është që fituam ndeshjen ndaj Sllovakisë. Tani besoj se do të krijojmë një atmosferë fantastike dhe do ta kallim stadiumin”, u shpreh Asllani.

Ai nuk e fshehu se përballja ndaj Turqisë do të jetë mjaft e fortë, duke e cilësuar si një tjetër test serioz për kombëtaren.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, si çdo tjetër deri më tani. Megjithatë, besoj se do të japim maksimumin dhe në fund do të shohim se çfarë rezultati do të arrijmë”, shtoi sulmuesi.

Asllani nënvizoi gjithashtu se ndeshjet ndërkombëtare janë gjithmonë të balancuara dhe pa favoritë të qartë, duke lënë të kuptohet se edhe Turqia do ta ketë të vështirë në Prishtinë.

Takimi mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në orën 20:45, në një duel që pritet të sjellë emocione të mëdha për tifozët.