Në disavantazh ndaj Sllovakisë pas pjesës së parë, por Kosova barazon sapo fillon e dyta
Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur në disavantazh 2-1 pjesën e parë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-off-it për Botërorin 2026.
Vendasit kaluan shpejt në avantazh, duke shënuar në minutën e pestë me anë të Martin Valjent, i cili realizoi me kokë për 1-0.
Pas golit të pësuar, Kosova reagoi duke rritur intensitetin dhe duke kërkuar më shumë në sulm.
Ky presion u shpërblye në minutën e 20-të, kur Veldin Hoxha realizoi një supergol nga distanca për barazimin 1-1.
Kosova fitoi terren dhe u duk më e rrezikshme në disa momente të lojës.
Megjithatë, Sllovakia reagoi dhe krijoi raste të mira për shënim.
Në minutën e 36-të, Lukáš Haraslín goditi shtyllën, duke paralajmëruar rrezikun për mbrojtjen kosovare.
Presioni i vendasve vazhdoi deri në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 44-t, i njëjti Haraslín u tregua i saktë nga goditja e lirë, duke shënuar për 2-1.
Goli erdhi në një moment delikat për Kosovën, pak para pushimit.
Sapo fillon e dyta, Fisnik Asllani barazon në minutën e 47-të.