Si po e përballojnë vendet rritjen globale të çmimeve të energjisë nga lufta në Lindjen e Mesme
Rritja e fortë e çmimeve të karburantit në tregjet ndërkombëtare, e ndikuar nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, ka detyruar një sërë shtetesh të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët dhe ekonomitë e tyre.
Polonia është ndër vendet që ka reaguar duke ulur TVSH-në për karburantet nga 23% në 8%, me synimin për të zbutur barrën financiare për qytetarët dhe bizneset.
Ndërkohë, në Gjermani janë miratuar masa fillestare që kufizojnë ndryshimet e çmimeve në pikat e karburanteve vetëm një herë në ditë, në mesditë, në përpjekje për të frenuar luhatjet e shpeshta dhe spekulimet në treg.
Italia ka zgjedhur një tjetër qasje, duke vënë në dispozicion 417 milionë euro për uljen e akcizës së karburanteve deri më 7 prill, sipas raportimeve të Reuters.
Edhe jashtë Europës po ndërmerren hapa për të menaxhuar krizën energjetike. Në Korenë e Jugut, partia në pushtet ka njoftuar plane për të lehtësuar kufizimet mbi prodhimin e energjisë nga qymyri dhe për të rritur përdorimin e centraleve bërthamore, në mënyrë që të kompensohet rritja e kostove.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria ka shpallur masa mbështetëse për shtresat më të prekura nga rritja e çmimeve, pas presionit publik për ndërhyrje konkrete.
Masat e ndërmarra tregojnë se vendet po ndjekin strategji të ndryshme, nga ulja e taksave, te kontrolli i çmimeve dhe rritja e prodhimit të energjisë, për të përballuar një krizë që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.