Ish-futbollisti i Polonisë për Shqipërinë: Janë një komb që kërkon gjithmonë diçka
Ish-futbollistët e Polonisë, gjatë këtyre ditëve janë munduar të ulin euforinë e tifozëve të tyre për ndeshjen ndaj Shqipërisë, duke paralajmëruar se nuk do të jetë aq e thjeshtë sa mendohet përballë kuqezinjve.
Në këtë listë është edhe Paveł Kriszałoviç, i cili përtej optimizimit që ka se Polonia mund të shkojë në finale, kujton se nuk do të jetë aspak e lehtë të kalohet Shqipëria.
“Nëse do të luaja vetë, padyshim që do të kisha qenë shumë më entuziast. Por nëse duam të shkojmë në Botëror, duhet të mundim Shqipërinë dhe do të doja të ishte një fitore bindëse”, tha ai para se të lëshonte paralajmërimin e tij për cilësitë e Shqipërisë.
“Këta nuk janë lojtarë që kanë mbirë nga hiçi. Ata kanë mënyrën e tyre të lojës. Unë pres një ndeshje të vështirë, por nga ana tjetër, mendoj se kemi lojtarë më të mirë që luajnë në klube më të mira. Dhe duhet të përshtatemi.
Kur unë luaja të Eintraht Frankfurt, shoku im i dhomës për dy vite ishte Ervin Skela, Ai ishte një mesfushor shtatshkurtër. Dhe po, janë një komb i cili kërkon gjithmonë diçka. Ata nuk thonë “nuk e dua diçka”. Ata duan gjithmonë gjithçka. Dhe ata do të kenë këtë qasje në ndeshje ndaj nesh”, tha për “WP SportoweFakty” ish-sulmuesi polak, i cili nuk i sheh gjërat si trajneri Jan Urban, i cili parashikonte që kuqezinjtë të luanin edhe në sulm.
“Nuk mendoj se Shqipëria do të bëjë lojë të hapur, por futbolli është i tillë, të gjithë kërkojnë të bëjnë surprizën ndaj dikujt. Të shohim se kush do ia dalë.
Të mos harrojmë se kjo është vetëm një ndeshje. Ndonjëherë, ekipi në teori më i dobët në fushë mund të bëjë një surprizë. Por jam optimist. Uroj që të fitojmë në mënyrë bindëse dhe të shkojmë në finale me një frymë të mirë”, tha ai.