'Trajtim preferencial ndaj gjyqtares '/ Logu: Hetimi i SPAK për Irena Gjokën ishte i vonuar dhe me mangësi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të mbyllë hetimet ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e kallëzuar për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar. Megjithatë, juristi Marash Logu zbardh një sërë faktesh që hedhin dritë mbi anën etike dhe ligjore të çështjes, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi vendimin e SPAK dhe duke vënë në dukje një standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit.

Logu, në një intervistë për Syri TV,u shpreh se gjyqtarja Gjoka ka pasur dy procese gjyqësore dhe administrative në Greqi, të cilat burojnë nga dy raste kur asaj i është refuzuar hyrja në shtetin fqinj, në vitet 2001 dhe 2003. Këto procese kanë kulmuar me një dënim për “falsifikim të dokumenteve të identifikimit”.

Logu thekson se gjyqtarja ka qenë plotësisht në dijeni të këtyre ngjarjeve, pasi dokumentacioni provon se ajo ka autorizuar një avokat për të ndjekur çështjet e saj në Greqi. Më tej, vetë parashtrimet e saj në Këshillin e Lartë Gjyqësor përmbajnë referenca, data dhe numra vendimesh, çka e bën të pabesueshëm pretendimin për mungesë dijenie.

Problemi kryesor qëndron në mosdeklarimin e këtyre fakteve në formularin e dekriminalizimit. Ligji kërkon që çdo funksionar publik të deklarojë nëse ka pasur procese penale, dënime, apo edhe dëbime nga një shtet i huaj. Sipas Logut, gjyqtarja Gjoka nuk i ka pasqyruar këto të dhëna në tre rubrika të ndryshme të formularit ku kërkohej specifikisht ky informacion.

Juristi kritikon vendimin e SPAK, duke e quajtur hetimin “të vonuar”, pasi faktet kanë qenë publike dhe lehtësisht të verifikueshme. Ai vë në dukje se në raste të ngjashme, deputetë dhe kryebashkiakë janë shkarkuar nga detyra për mosdeklarime të tilla, edhe pse ata kanë pretenduar mungesën e dijenisë.

“Në këtë rast është përdorur një tjetër standard, është ndryshuar praktika,” pohon Logu, duke aluduar për një trajtim preferencial ndaj gjyqtares.

Logu:

Së pari, ka pasur në fakt, për zonjën Gjoka ka pasur dy procese gjyqësore dhe dy procese administrative në shtetin grek, të cilat kanë ardhur për shkak se asaj i është refuzuar në mënyrë të qartë hyrja në shtetin grek dhe për këto çështje, pra i është refuzuar në vitin 2001 dhe në vitin 2003 dhe për secilin rast që i është refuzuar hyrja, përveç procesit administrativ, ka pasur dhe një proces gjyqësor, në fund të së cilës në përfundim, ajo është dënuar për falsifikim të dokumenteve të identifikimit, për falsifikim të pasaportës apo vizës që debatoi për të hyrë në shtetin grek.

Sigurisht që dijenia në fakt e zonjës Gjoka për këto raste ka qenë e plotë, për shkak se ajo së pari vetë ka qenë në dijeni të faktit që i është refuzuar hyrja në shtetin grek, në dy raste të përsëritura dhe nga ana tjetër rezulton nga dokumentacioni që ajo ka autorizuar edhe persona të caktuar, pra përfshirë dhe avokatë, që të ndjekin qoftë çështje...

Po po, për t'u marrë me këtë çështje, që të ndjekin qoftë çështjet administrative, qoftë çështje gjyqësore në shtetin grek. Në këtë kuptim, në momentin që zonja Gjoka, ashtu si çdo funksionar i lartë i shtetit shqiptar, qoftë në vitin 2015, qoftë në momentin që ajo është nënshtruar vetingut në vitin 2017, apo kur është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apo kur është emëruar në detyrën e zëvendëskryetares së kësaj gjykate, ajo ka pasur detyrimin që këto fakte, këto të dhëna t'i pasqyronte në formularin e dekriminalizimit. Janë tre rubrika në fakt në formularin e dekriminalizimit që ajo do të duhet t'i pasqyronte këto çështje. Ka një rubrikë në të cilën në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetet funksionari publik në qoftë se ka pasur një proces gjyqësor penal, përfshirë edhe në ato raste kur nuk ka pasur një vendim përfundimtar, në një shtet të huaj ose në një shtet të Bashkimit Evropian.

Ka një rubrikë ku pyetet zyrtari, funksionari i lartë publik, në qoftë se ka pasur një dënim penal në një shtet tjetër, të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara e kështu me radhë, dhe një rubrikë tjetër ku pyetet zyrtari publik në qoftë se ka pasur një dëbim nga një shtet i huaj. Në secilën prej këtyre tre rubrikave të formularit të dekriminalizimit, zonja Gjoka nuk i ka pasqyruar të dhënat që lidhen qoftë me ndalimin e saj për të hyrë në shtetin grek, pra dëbimet që ajo ka pasur nga shteti grek, qoftë dhe proceset penale që ajo ka pasur lidhur me këto çështje. Në këtë kuptim, mosdeklarimi në vetvete në fakt, nga njëra anë ne e kemi të parashikuar në mënyrë shumë të qartë që mosdeklarimi ose mosplotësimi i saktë i formularit sjell edhe ndërprerjen nga detyra të funksionarit publik, dhe nga ana tjetër mban edhe përgjegjësi penale për falsifikim të dokumentit.

Ndërkohë që procesi për vlerësimin ose jo të ndërprerjes së mandatit të zonjës Gjoka është aktualisht duke u kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe më pas do vlerësohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Çështja e përgjegjësisë së saj penale, për shkak të detyrës që e mban si gjyqtare e Gjykatës së Posaçme e shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka qenë një çështje që ka qenë nën hetim nga struktura e posaçme antikorrupsion, pra nga prokurorët e posaçëm të SPAK-ut. Vlerësoj që, ka qenë një hetim në fakt, është i vonuar, pra sepse deri diku faktet kanë qenë publike dhe të njohura edhe për opinionin e gjerë dhe nuk ka qenë kaq e komplikuar për të marrë informacione të plota lidhur me këtë çështje.

Vetë zonja Gjoka ka qenë plotësisht në dijeni, sepse po të shikoni parashtrimet që ajo i ka dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, tregon që ka pasur një dijeni të plotë të këtyre proceseve administrative dhe penale në ngarkim të saj, për shkak se ajo përdor aty referencat, vitet, numrat e vendimeve e kështu me radhë. Dhe vlerësoj, po themi që kjo ka qenë  plotësisht mundësia që ky hetim të kryhej në një kohë më të shpejtë dhe prokuroria të kishte mundësi për konkluduar në një kohë më të shpejtë.

Mendoj që vlerësimet ose njoftimi që ne kemi parë dje që kanë bërë, ka bërë Prokuroria e Posaçme, vlerësoj që ka disa mangësi të theksuara në fakt proceduriale, të tipit për shembull që shprehen se nuk ka pasur dijeni për ekzistencën e këtyre proceseve, ndërkohë që faktet dhe provat tregojnë që ajo ka qenë në dijeni, sepse ajo ka qenë në dijeni të faktit që nuk është lejuar dy herë për të hyrë në shtetin grek, ka qenë në dijeni të shënimeve që janë bërë në pasaportën e saj, ka qenë në dijeni të faktit që ajo vetë ka autorizuar një avokat për të ndjekur këto procese në shtetin grek. Pra nuk mund kurrsesi të konkludohet që nuk ka qenë në dijeni të këtyre proceseve.

Shikoni, pretendimi i gjithë, po them edhe i deputetëve që, kryebashkiakëve dhe deputetëve që janë larguar nga dekriminalizimi, e dini cili ka qenë? Nuk kemi qenë në dijeni. Nuk kemi, kemi pasur dijeni për ekzistencën e këtyre proceseve, jemi gjykuar në mungesë e kështu me radhë. Megjithatë, në të gjitha këto raste, autoritetet përkatëse, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë vendosur ndërprerjen e mandatit të këtyre funksionarëve të zgjedhur, në qoftë se ata kanë qenë kryetar bashkie apo deputetë.