Garnacho ndihet ‘i turpëruar’, gjobitet për tejkalim shpejtësie

Alejandro Garnacho është gjobitur për tejkalim shpejtësie, pas një incidenti të ndodhur verën e kaluar, kur largohej nga qendra stërvitore e Manchester United, përpara transferimit të tij te Chelsea.

Sulmuesi anësor argjentinas u kap nga kamerat duke drejtuar makinën e tij Audi RS3 me shpejtësi 80 km/h në një zonë ku limiti ishte 64 km/h. Ngjarja ndodhi më 26 gusht dhe çoi në një procedurë ligjore në gjykatën e Liverpoolit.

Përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, Garnacho e pranoi shkeljen dhe kërkoi falje, duke u shprehur se ndihej “i turpëruar” për atë që kishte ndodhur.

Gjykata vendosi një gjobë prej rreth 700 eurosh, si dhe i kërkoi lojtarit të paguajë 130 euro për shpenzime gjyqësore dhe 300 euro si kompensim. Përveç kësaj, në patentën e tij u shtuan edhe tre pikë penalizimi.

Fillimisht, Garnacho ishte akuzuar edhe për mosreagim ndaj një letre të policisë, ku i kërkohej të identifikonte drejtuesin e mjetit në tetor, por kjo akuzë u hoq pasi ai pranoi fajin.

Ky episod vjen si një moment i pakëndshëm për talentin argjentinas, i cili po përpiqet të përqendrohet në karrierën e tij me Chelsea-n.