Batistuta shpërthen për vdekjen e Maradonës: E lamë vetëm… dhe ky është një turp i madh!

Legjenda argjentinase, Gabriel Batistuta, ka dhënë një rrëfim të ndjerë dhe të fortë për Diego Maradonën, gjatë një interviste në podcast-in e Rio Ferdinandit, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm kujtimet e bukura, por edhe një ndjenjë faji që e shoqëron ende.

“Ishte një njeri i madh, me të gjitha problemet e tij, por mbetej i jashtëzakonshëm. Gjithmonë jam përpjekur t’i them të vërtetën dhe mendoj se për këtë më respektonte”, u shpreh Batistuta për marrëdhënien me Maradonën.

Por pjesa më e fortë e rrëfimit erdhi kur foli për fundin tragjik të ikonës së futbollit: “Është një turp i madh. Një njeri si ai nuk duhej të vdiste i vetëm. E lamë vetëm… dhe kjo më dhemb. Ndihem fajtor, sepse ndoshta mund të bëja më shumë për të. Kur e do dikë, duhet të jesh pranë tij kur ka më shumë nevojë”.

Batistuta theksoi se Maradona i ka dhënë botës momente të paharrueshme dhe paralajmëroi që histori të tilla të mos përsëriten: “Shpresoj që kjo të mos ndodhë me Lionel Messin. Ata duken si superheronj, por në fund janë njerëz dhe kanë nevojë për mbështetje”.

Në krahasimin mes dy ikonave, Batistuta ishte i qartë: “Messi është i jashtëzakonshëm, ka shënuar shumë dhe është më i qetë. Por Maradona kishte diçka më shumë, karizëm dhe personalitet. Për mua, ai mbetet më i madhi”.