‘Shqipëria s’ka më shumë korrupsion se Evropa’, Rama flet përçart: Ne nuk jemi vend që vuan nga krimi i organizuar
“Shqipëria s’ka më shumë korrupsion se Europa”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin Matchmarket Albania, në përgjigje të kritikëve të vendeve evropiane, duke theksuar se këtë e dëshmojnë zhvillimet ekonomike dhe rritja e investimeve.
“Kur njerëzit flasin për Shqipërinë bien pre e disa stereotipeve si korrupsioni e krimi i organizuar. Por kjo nuk është Shqipëria. Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër. Nuk do të përmend, po themi xhirot apo qarkullimin e drogës në Evropë, nuk do të bëj krahasim. Për ata që thonë se jemi më të këqijtë, iu them, shikoni veten tuaj dhe le të bëjmë punën tonë më të mirë”, u shpreh Rama.
Por kreu i qeverisë ose harron se me e pakta e bën me vetëdije të plotë që ish - zëvendësja e tij tashmë është nën hetim nga SPAK. Ndërsa në asnjë vend të Evropës nuk ka një zëvendëskryeministre që hetohet për korrupsion dhe për abuzim me fondet publike që të mbrohet politikisht ashtu siç bëri Rama me grupin parlamentar të PS. I vendosi në rresht që të mbronin një person për të cilin prokuroria kërkonte arrestimin. Pra imazhi i Shqipërisë është i kompromentuar zoti kryeministër e nuk është aspak ashtu siç thoni ju. Kreun e bashkisë së kryeqytetit e keni në burg që është një anëtar shumë i flaktë i PS e akuzat për të janë shumë të rënda. Pra nëse do të ishe më i sinqertë edhe biznesmenët e huaj do të të kuptonin me mirë e ndoshta edhe do të mirëkuptonin. Por historinë me dardha e me kumbulla pas shpinës ata nuk e kalojnë dot të jeni i sigurtë.
Sipas tij, Shqipëria ka arritur të tërheqë rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit vetëm në turizëm, ndërsa numri i turistëve ka arritur në 12 milionë, duke e shndërruar vendin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës.
Ai theksoi gjatë takimit se objektivi i qeverisë është rritja e eksporteve në 1 miliard euro dhe arritja e sovranitetit të plotë energjetik deri në fund të dekadës, përmes diversifikimit dhe inovacionit në sektorin e energjisë.Rama u ndal te sektorët kryesorë të zhvillimit, ku veçoi turizmin dhe bujqësinë.
Por harroi të shpjegonte se fermerët shqiptarë nuk kanë asnjë mbrojtje nga shteti dhe se prodhimet e tyre në të shumtën e rasteve nuk u sigurojnë as shpenzimet e bëra fermerëve. Ketë e tregon edhe emigracioni masiv i shqiptarëve e sidomos shtresës që deri dje është marrë me bujqësi e me blegtori.