Sera me kanabis në Berat/ SPAK kërkon 133 vite burg për 17 anëtarët e grupit kriminal
Gjatë një operacioni të koduar “Stuhia”, që goditi grupin kriminal në muajin nëntor 2022, në fshatin Drenovicë, Berat, Policia sekuestroi 870 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Prokuroria e Posaçme ka shpallur pretencën për 17 të pandehur, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kultivimin e kanabisit në sera të mbyllura në Berat.
Prokurori Behar Dibra kërkoi në total 133 vite burg për të gjithë të pandehurit, ndërsa dënimet më të larta, nga 13 vite burg secili, u kërkuan për Sadetin Hasaj dhe Blerim Xhekën.
Lexo edhe: EMRI - Sekuestrimi i 870 kilogramëve kanabis në Berat/ Kapet në Mbretërinë e Bashkuar 30-vjeçari
Për të pandehurit e tjerë u kërkuan këto masa:
Sidrit Bisha dhe Jurgen Ujkaj nga 10 vite burg,
Samoel Lushaj 10 vite,
Suad Smakaj 9 vite,
Endriol Xheka 9 vite,
Mirvaldo Disha 9 vite,
Hamdi Dyli 8 vite,
Arben Vrapi dhe Adiol Çifliku nga 6 vite burg,
ndërsa për Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Drita Mema, Izmire Mema dhe Edison Mema u kërkuan nga 5 vite burg.
Për katër prej të pandehurve të fundit, prokuroria kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në provë për një periudhë 3-vjeçare.
Çështja lidhet me një operacion të zhvilluar më 10 nëntor 2022, ku u sekuestruan rreth 870 kilogramë kanabis dhe u arrestuan të paktën 11 persona. Dy vite më pas, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën “arrest në burg” për 9 persona të përfshirë.
Të pandehurit akuzohen për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një “grupi të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Aktiviteti kriminal zhvillohej në Berat dhe, pas zbulimit të tij, u morën masa disiplinore në radhët e policisë lokale, përfshirë largime nga detyra dhe shtyrje të gradimeve, për shkak të moszbulimit në kohë të këtij aktiviteti.
Lexo edhe: Sera me kanabis në Berat/ Dosja e ‘grupit të drogës’ me 17 të pandehur, kalon për gjykim
Në këtë grup ishin të përfshirë edhe 93 gra, punonjesë në këtë aktivitet të paligjshëm, por SPAK shpalli moskompetencë për to.
Operacioni atëherë u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis si dhe u arrestuan 11 persona. Dy vite më pas me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi më 22 prill 2024 caktimin e masës së sigurisë personale “arrest në burg” për 9 persona.