Stafi mjekësor i Real Madridit nën akuzë, gabim diagnoze edhe për Camavinga-n

Pas polemikave për diagnozën e pretenduar të gabuar ndaj Kylian Mbappé-së, departamenti mjekësor i Real Madridit ka marrë një tjetër goditje të fortë, këtë herë me Eduardo Camavinga-n.

Sipas të përditshmes franceze L’Équipe, mesfushori francez 23-vjeçar, i cili u lëndua në kyçin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes ndaj Athletic Bilbao-s më 3 dhjetor 2025 (fitore 3-0), ka përjetuar të njëjtin problem si Mbappé. Camavinga shënoi një gol, por u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 69-të.

Dita pas lëndimit, ai iu nënshtrua një rezonance magnetike, por për shkak të një gabimi komunikimi midis klubit dhe klinikës ku u bë ekzaminimi, mjeku u fokusuan te këmbë e djathtë, aty ku nuk kishte asnjë problem. Si rezultat, mesfushori mori “dritën jeshile” për t’u stërvitur, ndërkohë që problemi real i këmbës së majtë mbeti i pazbuluar.

Gabimi solli pasoja serioze. Camavinga, edhe pse ishte i thirrur për ndeshjen ndaj Celta Vigo-s më 7 dhjetor, nuk luajti. Më pas ai mungoi edhe në përballjet e tjera,  ndaj Alavés në kampionat, Manchester City-t në Champions League dhe Talavera-s në Kupë, për shkak të problemeve të vazhdueshme me kyçin. Ai u rikthye në fushë më 20 dhjetor ndaj Sevilla-s, por vetëm për 18 minuta.

Ngjashmëritë me rastin e Mbappé janë të dukshme: sulmuesi kishte probleme me gjurin e majtë në dhjetor, ndërkohë që mediet raportuan se mjekët e Real kishin kontrolluar gjurin e djathtë. Gazetari Daniel Riolo nga Radio Monte Carlo deklaroi se diagnoza e gabuar ishte një turp për klubin dhe mund të kishte pasoja edhe më të rënda për Mbappé-në.

Megjithatë, Mbappé mohoi raportimin, duke thënë se informacioni që ata kontrolluan gjurin e gabuar nuk ishte i vërtetë. Ai pranoi se mungesa e komunikimit mund të kishte krijuar keqinterpretime, por rasti i Camavinga-s riktheu sërish debatet mbi menaxhimin mjekësor të Real Madrid.