Parlamenti i BE-së miraton qendrat e deportimit falë votave nga e djathta ekstreme
Parlamenti Europian miratoi të enjten rregulla të reja që synojnë përshpejtimin e deportimeve të azilkërkuesve të refuzuar, duke përfshirë ngritjen e qendrave për emigrantët jashtë BE-së, falë votave nga e djathta ekstreme politike.
Vota e së enjtes u lejon ligjvënësve të BE-së të hyjnë në negociata me shtetet anëtare për të finalizuar ligjin.
Planet e kontestuara u mbështetën nga 389 ligjvënës të BE-së, ndërsa 206 e hodhën poshtë propozimin dhe 32 abstenuan. Rezultati u prit me duartrokitje në këmbë nga disa ligjvënës në Parlamentin e BE-së në Bruksel.
Reforma mund të hapë rrugën për të ashtuquajturat 'qendra kthimi'
Nëse miratohet, ligji mund të çojë në krijimin e qendrave të akomodimit për azilkërkuesit e refuzuar jashtë BE-së, të ashtuquajturat "qendra kthimi".
Reforma synon gjithashtu të nxisë azilkërkuesit e refuzuar, që të largohen vullnetarisht nga BE-ja.
Sipas planeve, azilkërkuesit e refuzuar do të jenë të detyruar të bashkëpunojnë në riatdhesimin e tyre. Emigrantët që refuzojnë ta bëjnë këtë mund të përballen me penalitete, duke përfshirë uljen e përfitimeve ose konfiskimin e dokumenteve të tyre të udhëtimit.
Ata që duhet të largohen mund të mbahen gjithashtu të ndaluar deri në 24 muaj, për shembull nëse nuk bashkëpunojnë me autoritetet.
Aleancë e diskutueshme
Votimi konsiderohet i diskutueshëm sepse u miratua me mbështetjen e partive të krahut të djathtë - në kundërshtim me praktikën e zakonshme të kërkimit të shumicës midis forcave të qendrës në Parlamentin Europian.
Siç u raportua për herë të parë nga dpa, përfaqësuesit e Partisë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë kanë qenë së fundmi në kontakt me përfaqësuesit e fraksioneve të ekstremit të djathtë në parlament për të përafruar qëndrimet e tyre mbi projektligjin, përfshirë edhe përmes një bisede në grup në WhatsApp./ DPA News.