U kërcënua me jetë/ Adriana Kalaja: Pas shantazhit për të mbyllur gojën qëndron Irena me disa mbiemra
Policia kriminale e Tiranës, ka referuar në prokurorinë e Tiranës një material kallëzuar duke kërkuar fillimin e ndjekjes penale të një personi, i cili ka kërcënuar me jetë aktivisten dhe avokaten, Ardiana Kalaja. Kjo e fundit është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social “Facebook” nga një person me profil të rremë që fshihet pas emrit “Klaus Bianconeri”.
Në një prononcim për median sot para SPAK Kalaja tha se ka bërë kallëzim në polici që më 19 shkurt, pas marrjes së mesazhit kërcënues, por hetimet kanë ngecur.
Ajo shprehu dyshimet se pas këtyre kërcënimeve, ‘shantazh për t’i mbyllur gojën’, qëndron vetë gjyqtarja e kallëzuar, Irena Gjoka. Ajo përmend edhe një kërcënim të dytë më 7 mars, duke denoncuar dhe qëndrimin e papërshtatshëm të policisë.
Prononcimi sot para SPAK
Pyetje: Zonja Kalaja, ka dalë një lajm orët e fundit që ju jeni kërcënuar në të paktën dy raste nga persona anonimë në rrjetet sociale. Kur ka ndodhur? Keni, ku e keni depozituar kallëzimin penal dhe çfarë ka ndodhur me këtë procedim?
Adriana Kalaja: Në fakt unë jo më kot nuk e kam bërë publike sepse kërcënimi me jetë ndaj meje është bërë me 19 shkurt të 2026-ës. Ë, unë që të nesërmen në mëngjes jam drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Kam bërë kallëzimin përkatës. Kam vënë në dispozicion edhe mesazhin kërcënues dhe vetë nga drejtuesit e kësaj policie më është konfirmuar që kjo është një kanosje shumë e rëndë për jetën, është një shantazh i pastër dhe po kështu, Drejtoria e Krimit Kibernetik më ka konfirmuar që për një periudhë dy apo tre ditore do të bllokojnë këtë faqe dhe do të marrin një informacion të saktë për personin që fshihet mbas kësaj faqeje.
Unë në kallëzimin tim përpara Drejtorisë së Policisë kam ngritur dyshime që mund të jetë kushdo nga personat e kallëzuar nga unë, nga Edi Rama deri tek personi i fundit, por duke qenë se në atë periudhë unë kisha bërë veprime vetëm lidhur me gjyqtaren me disa mbiemra, unë e kam cituar specifikisht që dyshimet e mia janë që pas këtij kërcënimi, pas këtij shantazhi për të mbyllur gojën, qëndron Irena me disa mbiemra. Këto dyshime dhe këto përforcime kanë ardhur duke u shtuar për faktin se në moment kur informacioni shkoi në zyrat e institucioneve politike që kanë marrë përsipër të mbrojnë delinkuenten Irena me disa mbiemra, çështja u stopua.
Prokuroria e Tiranës jo vetëm nuk ka bërë asnjë hetim, por për fatin e keq të tyre, se mua nuk është se më trembin këto lloj kërcënimesh. Para një jave që kam marrë informacion, jam vënë në dijeni të faktit që në Prokurorinë e Tiranës akoma nuk është shortuar çështja.
Ndërkohë që me 7 mars kam marrë kërcënimin e radhës, tashmë jo më në inbox por në Facebook, në faqen time dhe kur ju drejtova Drejtorisë së Policisë për kërcënimin e radhës, policia e ndodhur nën presionin politik më tha që është mirë që t'i bësh bllok kësaj faqe. Pra, policia e shtetit që me datë 20 shkurt më thotë, "kjo është një kanosje e rëndë", madje më kanë konfirmuar që do t'i kërkojnë Prokurorisë së Tiranës që të kërkohet dhe mbrojtje ndaj personit tim. Me 7 mars është po e njëjta Drejtori Policie që mua më thotë, "bëj bllok këtij, kësaj faqe".
Dhe sipas informacioneve që unë kam marrë, e përgëzoj dhe gazetarin Qyno që e bëri publike sepse i kishte shkuar informacioni nga vetë persona të brendshëm të policisë dhe të prokurorisë, mua më shqetëson fakti që nga data 20 shkurt institucionet përgjegjëse jo vetëm nuk kanë reaguar, por vijojnë të amnistojnë persona të cilët të veshur me tog magjistrati apo persona të veshur me pushtet, kërcënojnë shtetas, qytetarë, të cilët, më falni, guxojnë që të ngrejnë zërin, guxojnë që të denoncojnë korrupsionin dhe krimin e instaluar jo vetëm në pushtet, fatkeqësisht, të instaluar gjerësisht në sistemin e drejtësisë.