Korça mirëpret dokumentarin për Nikolla Zoraqin

Në Teatri Andon Zako Çajupi u shfaq dokumentari “Nikolla i zemrës së Tiranës”, një dokumetar kushtuar jetës dhe veprës së kompozitorit të shquar Nikolla Zoraqi. Filmi, me regji të Mevlan Shanaj, u prezantua për publikun korçar si një homazh i veçantë, duke rikthyer në vëmendje figurën e një artisti që ka lënë gjurmë të rëndësishme në muzikën shqiptare dhe që ka pasur një lidhje të fortë me qytetin e Korçës.

Përmes materialeve arkivore dhe dëshmive të ndryshme, dokumentari sjell një portret të plotë të Nikolla Zoraqi, duke e paraqitur atë si një kompozitor elitar me një krijimtari të pasur në balet, opera dhe muzikë simfonike, si edhe si një figurë me dimension të gjerë njerëzor dhe intelektual.

Në film vihet në pah edhe kontributi i tij në zhvillimin e muzikës profesioniste shqiptare, si dhe ndikimi që ai pati në jetën artistike të vendit.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Enkel Zoraqi, i cili përfaqëson familjen e kompozitorit dhe lidhjen e saj me Korçën, si një qytet me rëndësi të veçantë në historinë e tyre.

Gjithashtu, në aktivitet morën pjesë edhe figura të njohura të artit, mes tyre dirigjenti Zhani Ciko, i cili vlerësoi dimensionin artistik dhe emocional që përcjell dokumentari.

Shfaqja u prit me interes nga publiku korçar, duke u kthyer në një ngjarje kulturore me vlerë, që rikthen në kujtesë kontributin e Nikolla Zoraqi dhe rolin e tij në formësimin e identitetit muzikor shqiptar.

Përmes këtij dokumentari, figura e tij risillet si një nga personalitetet më të rëndësishme të artit në vend, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke forcuar kujtesën kulturore.