Mungesa e barinjve në Petresh bën që bagëtitë e fshatit të rrezikojnë zhdukjen totalisht
Fshati Petresh në bashkinë e Elbasanit, dikur i njohur për mbarështimin e bagëtive, po përballet me një zhdukje të përhershme të këtij aktiviteti. Barinjtë e fundit të mbetur në zonë, Baki Gjokpali, 70 vjeç, dhe Ismail Mema, 65 vjeç, tregojnë për Syri TV se numri i krerëve të bagëtive ka rënë drastikisht.
“Në fshat kemi pasur mbi 500 krerë bagëti, ndërsa tani ndoshta kanë mbetur më pak se 50,” shprehen ata, duke e cilësuar këtë situatë si një fatkeqësi për zonën. Shkaku kryesor sipas barinjve është largimi i të rinjve, kostot e larta për ushqimin e deleve dhe dhive, si dhe mungesa e burimeve ujore vitet e fundit.
Ata akuzojnë shtetin për mungesë mbështetjeje: “Shteti nuk ka qenë asnjëherë pranë nesh për të stimuluar mbarështimin e bagëtive,” thonë barinjtë.
Sipas tyre, dëmi më i madh është shkaktuar nga importi i mishit nga vendet fqinje, i cili, për shkak të çmimit të ulët, ka dëmtuar tregun vendas, edhe pse cilësia nuk krahasohet me mishin bio vendas.
Edhe pse kanë kaluar një jetë të tërë duke u kujdesur për bagëtitë, barinjtë e fundit paralajmërojnë se mund të detyrohen të ndalojnë këtë aktivitet për shkak të mundimeve, vështirësive dhe kostove të larta. Kjo do të çojë në zhdukjen totale të mbarështimit të bagëtive në Petresh në vitet e ardhshme.