Pronari i ullishtes kundër shpronësimit për varreza publike, kërcënon me vetëvrasje
Një konflikt pronësie në Fier lidhur me një proces shpronësimi ka precipituar në kërcënime të rënda, ku një qytetar i identifikuar si Neim Tahiri, ka deklaruar se është i gatshëm të sakrifikojë jetën e tij për të mos lëshuar tokën. Përballë përfaqësuesve të institucioneve, pronari i tokës ka kërkuar drejtësi, duke deklaruar se nuk do të largohet pa një zgjidhje të pranueshme.
Në qendër të mosmarrëveshjes është një sipërfaqe toke që shteti synon ta shpronësojë, me sa duket për zgjerimin e varrezave publike.
Qytetari pretendon se është pronar i ligjshëm, duke paraqitur një sërë dokumentesh, përfshirë një çertifikatë pronësie dhe dëshmi nga arkivat e shtetit që vërtetojnë se toka i përkiste familjes së tij që në kohën e Mehmet Shehut.
Ai shprehet se ka nisur një “luftë” ligjore me bashkinë prej kohësh dhe refuzon kategorikisht procesin aktual.
Sipas tij, sipërfaqja reale e tokës së tij është 10,300 metra katrorë, dhe jo 8,300 metra siç mund të jetë vlerësuar, dhe se ajo nuk është tokë djerrë, por një ullishte e mbjellë nga të parët.
“Unë nuk kam mbjellë gorrica te toka. Unë kam mbjellë ullinj, që në koh e të parëve tanë” është shprehur ai.
Një pikë tjetër e kontestimit është shuma e kompensimit financiar. Qytetari deklaron se oferta prej 40,000 eurosh është e papranueshme dhe se ai është gati t'ia japë vetë atë shumë bashkisë.
Ai pretendon se ka firmosur dokumente nën presion, duke akuzuar se personi që ia ka paraqitur ka qenë i dehur.
Situata është tensionuar kur përfaqësues të bashkisë, të shoqëruar nga policia, kanë shkuar në terren për të nisur prerjen e ullinjve, në funksion të zbatimit të vendimit për shpronësim.
Duke parë se argumentet e tij nuk po gjenin zgjidhje, situata u tensionua kur ai nxori një drapër, duke kërcënuar: “O të çojnë varrezat, o të më çojnë mua. Ose ndryshe, ja ku kam thikën në dorë, unë do shtrihem aty, këta të më therin.”
Si alternativë, ai propozon që shteti ta kompensojë me një sipërfaqe tjetër toke, duke argumentuar se në zonë ka rreth 25 hektarë tokë shtetërore të lirë. “Më kompensojë, të rrinë fëmijët e mi të qetë... Bashkia ta marri tokën, po t'i japë një zgjidhje,” tha ai.
Dëshmia për Syri TV:
“Unë kam filluar luftën ligjore me bashkinë dhe kam fletë-thirrje për në gjyq. Kam dokumente në arkivat e shtetit që vërtetojnë se jam pronar i kësaj toke dhe kam çertifikatë pronësie.
Nuk kërkoj lëmoshë nga bashkia apo Kuvendi Popullor. Unë kërkoj drejtësi dhe qetësi, sepse këta zotërinj po më prishin paqen.
Nuk bëhet fjalë për paratë; oferta prej 40,000 eurosh nuk më intereson dhe mund t’ua jap vetë bashkisë. Toka ime nuk është 8,300 metra katrorë, por 10,300 metra, dhe nuk kam mbjellë gorrica, por ullinj, të mbjellë nga të parët e mi.
Shteti nuk më ka dhënë një dokument zyrtar; dokumentet e dërguara më janë prezantuar nga një person nën efektin e alkoolit.
Unë kërkoj drejtësi dhe propozoj që të kompensohem me tokë tjetër, pasi në zonë ka rreth 25 hektarë tokë shtetërore të lirë.
Kështu fëmijët e mi dhe komuniteti të jetojnë të qetë, dhe bashkia të vazhdojë punën e saj. Nuk kam kundërshtuar as pengimin e varrimeve: ka toka bosh ku mund të realizohen.
Nëse nuk zgjidhet ndryshe, unë jam i gatshëm të qëndroj në tokën time dhe të mbroj pronën. O të çojnë varrezat, o të më çojnë mua. Ose ndryshe, ja ku kam thikën në dorë, unë do shtrihem aty, këta të më therin".