'Administrata 35 vite pa reforma', eksperti: Patronazhim politik dhe mungesë meritokracie

Administrata publike në Shqipëri ka nevojë urgjente për një “shkundje të thellë”, pasi arkitektura aktuale 35-vjeçare e shtetit është kthyer në një pengesë për zhvillimin dhe integrimin evropian të vendit.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', Agron Haxhimali, ekspert i qeverisjes vendore tha se së fundmi vihet në dukje se fryrja e administratës me militantë partiakë dhe mungesa e meritokracisë kanë krijuar një sistem jofunksional që dëmton shërbimet ndaj qytetarëve dhe produktivitetin e vendit.

Sipas Haxhimalit, problemi nuk qëndron vetëm te numri i lartë i të punësuarve, por te vetë struktura kaotike e institucioneve.

Kjo “arkitekturë e shtetit”, sipas ekspertit funksionon si një piramidë e madhe dhe ineficiente, e cila duhet sheshuar përmes reformave rrënjësore. Ilustrime konkrete të këtij kaosi janë vartësitë e pakuptimta administrative, si për shembull zyra arsimore e Dibrës që varet nga Durrësi, apo institucione të dekoncentruara në Berat që kanë lidhje me Korçën.

Këto vendosje alogjike krijojnë një rrëmujë të madhe, çorientojnë burimet njerëzore dhe çojnë në humbjen e memories institucionale, duke rezultuar në shërbime të cunguara për qytetarët.

Një tjetër shqetësim madhor është erozioni i meritokracisë.  Haxhimali tha se punësimet në administratë nuk bazohen te cilësia dhe profesionalizmi, por te aktivizmi politik dhe patronazhi.

Kjo ka sjellë në pozicione drejtuese zyrtarë me një “profil tmerrësisht të dobët”, të paaftë për të çuar përpara proceset e evropianizimit dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarit të ndershëm. Kjo praktikë ka dëmtuar rëndë imazhin e administratës publike dhe ka ulur ndjeshëm produktivitetin e saj.

Premtimet për një administratë më të vogël dhe efikase duket se kanë mbetur vetëm në letër. Për shembull, numri i punonjësve në qeverisjen vendore është dyfishuar pas reformës territoriale, duke shkuar nga 20,000 në rreth 40,000.

Kjo rritje eksponenciale tregon se institucionet shtetërore po përdoren si “zyra elektorale” për të siguruar vota, në vend që të funksionojnë si ofruese të shërbimeve publike. Kur institucionet kthehen në instrumente pushteti, e ardhmja e vendit vihet seriozisht në rrezik.

Deklarata e plotë:

“Ne nuk duhet të vazhdojmë kështu. Çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet të ndryshojmë.

Si duhet dhe kush e sjell ndryshimin? Ndryshimin e sjell politika, ndryshimin e sjellin qytetarët, reagimi i qytetarëve, se duket si një luks kështu që po merr njerëzit, futin në administratë, por qëllimi i politikëbërjes, i institucioneve qëndrore dhe lokale është të bëjnë politika, të zhvillohet biznesi, njerëzit të punësohen në sektorin e biznesit, në sektorë të ndryshëm privat, jo t'i fusësh te zyrat e juaj, te zyrat e bashkisë.

Kjo nuk ka asnjë lloj kuptimi. Por e kam thënë disa herë, gjej rastin edhe në studion tuaj ta përmend. Më duket se 35 vite kjo arkitekturë e këtij shtetit tonë ka nevojë për një shkundje shumë të fortë

Tani ka disa kohë është të ardhurat midis nga buxheti i shtetit, të ardhurat midis publikut dhe privatit, po të thuash se i dominoi publike, po kjo nuk është normale në një vend me treg të lirë. Ndaj, prandaj them, ka nevojë për një shkundje shumë të madhe.

Gjithë kjo arkitektura e shtetit shqiptar duhet parë jo si një piramidë shumë e madhe, si jo, duhet më e sheshtë. Ka nevojë për reforma që dhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar gjithmonë administratën publike dhe nuk flasim për numër, flasim për cilësi. Por ato nuk janë aspak në harmoni.

Në fakt me me me shumë aspekte të tjera, se në qoftë se futen pastaj ke meritokracia, ke aktivistët, patronazhistët, ke karriera e të gjithë.

Këto kanë dëmtuar shumë imazhin e administratës publike dhe kështu bie produktiviteti.

Ndaj qoftë për administratën qendrore, për mua, edhe për lokalen, ka nevojë për reforma shumë të thella. Jo vetëm si numër thashë, edhe pse, edhe për numrin jam shumë kritik, po edhe mënyrën se si janë vendosur në këtë arkitekturën e shtetit, si ato gurët e shahut.

Po ju jap vetëm një shembull. Edhe dje në një takim me kryetarët i ngrinin probleme të tilla. Për shembull, zyra ose arsimi parauniversitar apo i parashkollor i Dibrës varet nga Durrësi. A kupton ti tani çfarë e lidh në këtë? Apo Berati ka disa marrëdhënie me institucionet e dekoncentruara me Korçën. Imagjino si mund të shkojë Berati me Korçën.

Po nuk, po mirë vetëm me avion mund të shkosh. Apo arkiva e Shkodrës dhe Lezhës shkon në Mirditë, apo këto reformat që janë bërë me sistemin, me këtë arkitekturën e sistemit të drejtësisë.

Në këtë drejtim është një rrëmujë shumë e madhe dhe kur institucionet vendosen në fushën e lojës jo drejtë, këtu humb memoria institucionale dhe burimet njerëzore janë shumë të çorientuar, për rrjedhojë dhe shërbimi që jepet do jetë shumë i i cunguar.