Sylvinho zgjedh 23 futbollistë për Poloninë, çon në tribunë Asanin dhe dy të tjerë
Kombëtarja e Shqipërisë është gati për përballjen e radhës ndaj Polonisë, ndërsa trajneri Sylvinho ka marrë vendimet e fundit për listën e lojtarëve të disponueshëm. Sipas rregullave të UEFA-s, vetëm 23 futbollistë mund të jenë të gatshëm për ndeshjen, çka ka detyruar teknikun kuqezi të lërë jashtë tre emra nga lista fillestare prej 26 lojtarësh.
Përballë Polonisë nuk do të jenë të disponueshëm Jasir Asani, Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake, të cilët do ta ndjekin sfidën nga tribuna. Mungesa e Asanit konsiderohet një nga surprizat më të mëdha, duke qenë se ai ka qenë një nga lojtarët më të preferuar më parë, por që gradualisht ka humbur hapësirë pas ndeshjeve zyrtare të fundit.
Nga ana tjetër, lista sjell edhe risi interesante në repartin defensiv, ku janë përfshirë Stavro Pilo dhe Bujar Pllana, dy emra që synojnë të shtojnë konkurrencën dhe alternativat në prapavijë. Një tjetër lajm pozitiv është rikthimi i Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, të cilët pritet të japin më shumë kreativitet në repartin ofensiv.
Në fazën e sulmit, Shqipëria do të mbështetet te tri alternativa kryesore: Myrto Uzuni, Arbër Hoxha dhe Armando Broja. Ndërkohë, si lojtarë me tipare sulmuese që mund të veprojnë pas sulmuesit, mbeten opsione të rëndësishme Muçi, Mehmeti dhe Nedim Bajrami, duke i dhënë skuadrës fleksibilitet në ndërtimin e lojës.
Tashmë gjithçka është gati për sfidën ndaj Polonisë, ku kuqezinjtë do të synojnë një paraqitje bindëse dhe një rezultat pozitiv.