Nga Madridi te Brazili, synimi i madh i Vinicius është lavdia në Botëror

Ylli brazilian Vinicius Junior ka deklaruar se ndihet më i lumtur dhe më i sigurt se kurrë, ndërsa synon të transferojë suksesin e tij me Real Madridin te përfaqësuesja e Brazilit në prag të Kupës së Botës 2026.

Sulmuesi 25-vjeçar ka kaluar një sezon me ulje-ngritje, duke përjetuar fillimisht një periudhë të vështirë pa gola dhe kritika nga tifozët në “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, ai ka reaguar fuqishëm, duke rikthyer formën e tij më të mirë me paraqitje mbresëlënëse gjatë sezonit.

Deri tani, Vinicius ka realizuar 17 gola dhe ka dhënë 13 asistime në 43 ndeshje në të gjitha garat, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë për skuadrën madrilene.

Pavarësisht suksesit të madh në nivel klubesh, ku ka fituar trofe të rëndësishëm si Liga e Kampionëve dhe La Liga, ai kërkon të lërë gjurmë edhe me Brazilin, ku deri tani ka tetë gola në 45 paraqitje.

“Ndjehem më i qetë dhe më i lumtur. Kur jam kështu, edhe të tjerët rreth meje ndihen më të sigurt. Dua që gjithçka që bëj te Real Madridi ta bëj edhe me Brazilin,” u shpreh ai para mediave.

Brazili synon të rikthehet te suksesi pas eliminimit në çerekfinale në Kupa e Botës 2022, ndërsa Vinicius është i vendosur të jetë një nga protagonistët kryesorë në edicionin e ardhshëm.

Ai theksoi se është i fokusuar maksimalisht dhe po punon fort për të qenë në formën më të mirë të mundshme, duke injoruar zhurmën e jashtme dhe presionin që vjen me pritshmëritë e mëdha.