Referendumet/ Kaso: Mund të përdoret për të anashkaluar konsensusin politik, iniciativë për ndryshime kushtetuese

Në studion e emisionit “Ora e Betit”, eksperti ligjor dhe deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso foli për draftin e ri që po qarkullon në qarqet politike lidhur me referendumin.

Ai theksoi se deri tani nuk ka një dokument zyrtar të dorëzuar në Kuvend, por fragmentet e publikuara tregojnë për një ligj shumë të detajuar, që mund të përshkruhet si një “mini kod elektoral”.

“Deri më sot nuk ka një draft zyrtar të përcjellë për deputetët, por nga ajo që qarkullon duket një ligj shumë i detajuar, një mini kod elektoral që është përgatitur prej kohësh,” – tha Kaso.

Ai vuri në dukje se iniciativa vjen në një kohë kur çështja e referendumeve është bërë prioritet për kryeministrin Edi Rama, edhe pse më parë nuk ishte pjesë e axhendës urgjente të mazhorancës. Kaso kujtoi se prej vitit 2012 diskutimet për referendumet janë refuzuar me argumentin se kërkojnë kohë dhe konsultim të gjerë.

Sipas tij, drafti mund të shfrytëzohet si një mjet për të anashkaluar nevojën për konsensus politik dhe për të avancuar nisma të rëndësishme përmes referendumit.

“Kjo është një iniciativë që duket qartë se lidhet me interesin për të hapur rrugën për ndryshime kushtetuese, pavarësisht qëndrimeve të opozitës.”- u shpreh ai.