Panenka i famshëm i penalltisë historike paralajmëron Sllovakinë: Mos e nënvlerësoni Kosovën!

Legjenda çeke, Antonin Panenka, ka paralajmëruar Sllovakinë përpara përballjes me Kosovën në “play off”-et e Botërorit. Ndeshja do të zhvillohet nesër dhe në Sllovaki pritet me interes të madh.

Ish-kampioni i Europës me Çekosllovakinë në vitin 1976 vlerësoi skuadrën sllovake, por njëkohësisht bëri një paralajmërim të fortë për kundërshtarin.

Sipas tij, Kosova nuk duhet parë aspak si një rival i lehtë, pavarësisht mungesave të rëndësishme në formacion.

Kosova do të jetë pa kapitenin Amir Rrahmani, si dhe pa mesfushorët Leon Avdullahu dhe Muharrem Jashari. Megjithatë, Panenka thekson se cilësia e skuadrës mbetet e lartë.

“Mos e nënvlerësoni Kosovën! Shumë njerëz e nënvlerësojnë Kosovën, por ekipet ballkanike kanë futbollistë me cilësi shumë të lartë. Shumë nuk e kuptojnë këtë. Mos i nënvlerësoni, janë gjaknxehtë dhe shumë luftarakë. Shumë prej tyre luajnë në ligat kryesore europiane, gjë që flet vetë. Nuk do të jetë aspak një kundërshtar i lehtë”, u shpreh fillimist Panenka, autori i goditjes ikonike të penalltisë nga finalja e Kampionatit Europian të vitit 1976.

Ai shtoi gjithashtu se edhe Slovakia ka një skuadër cilësore: “Ka shumë futbollistë të mirë te Sllovakia dhe shumica kanë bërë karrierë jashtë vendit. Madje, guxoj të them se keni një ekip më të orientuar drejt futbollit krahasuar me ekipin tonë çek”.

Sfida do të luhet në stadiumin “Tehelné pole” në Bratislavë, ku të gjitha biletat janë shitur.

Megjithatë, Panenka theksoi se edhe faktori fushë mund të kthehet në presion për vendasit.

“Në këtë ndeshje do të jetë thelbësore që lojtarët të tregojnë shpirt luftarak dhe përkushtim, sepse kundërshtari patjetër do t’i ketë këto cilësi. Avantazhi i madh është se luani në shtëpi, por ndonjëherë kjo krijon presion dhe bëhet e vështirë për t’u menaxhuar”, theksoi ai. Në fund, legjenda çeke uroi sukses për sllovakët, por la të kuptohet qartë se Kosova është një kundërshtar që meriton respekt maksimal dhe vëmendje të plotë.