Nën hetim/ Dorëhiqet ministrja italiane e Turizmit, Syri zbardh letrën e Daniela Santanchè dërguar Melonit

Dorëheqja e tretë brenda pak orësh në ekzekutivin italian pas humbjes në Referendumin mbi Reformën në Drejtêsi

Dorëheqja e ministres së Turizmit në qeverinë e Giorgia Meloni erdhi vetëm pak orë pas publikimit të rezultateve të referendumit dhe pas kërkesës së qartë publike nga vetë Kryeministrja për largimin e saj. Vendimi u mor në një klimë të tensionuar politike, të shoqëruar me polemika dhe presion në rritje ndaj ministres, e cila ishte vënë në qendër të kritikave dhe akuzave lidhur me çështjen e “cassa integrazione”, megjithëse pa një dërgim zyrtar në gjyq. Kjo dorëheqje u interpretua si një hap i nevojshëm për të shmangur ndikimin negativ mbi qeverinë dhe për të ruajtur stabilitetin politik në një moment delikat për ekzekutivin.

Letra

E dashur Giorgia, po të paraqes, siç e ke kërkuar zyrtarisht, dorëheqjen time nga roli i ministres që më kishe besuar dhe që besoj se e kam ushtruar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa asnjë kundërindikacion. Të falënderoj për vlerësimet dhe për besimin që më ke treguar gjatë këtyre viteve në drejtimin e Ministrisë së Turizmit. Kam dashur (dhe shpresoj të më kuptosh) që të ishte publikisht e qartë se ishe ti ajo që më kërkove të lija këtë detyrë, sepse, siç kam thënë gjithmonë, do të jepja dorëheqjen vetëm përballë një kërkese tënde të qartë dhe publike. Doja të ishte e qartë, për nderin tim, se po bëj një hap pas, jo vetëm për shkak të kërkesës që kreu i partisë sime e konsideron të dobishme dhe të përshtatshme. Më intereson të theksoj se deri më sot certifikata ime penale është e pastër dhe se për çështjen e “cassa integrazione” (asistencë sociale) nuk ka as edhe një dërgim në gjyq.

Dje, ndoshta në mënyrë të prerë (e kupton gjendjen time shpirtërore), të kam shprehur mosgatishmërinë time për një dorëheqje të menjëhershme, sepse doja që ajo të ishte e ndarë si nga komentet mbi referendumin — pasi nuk dua të jem “kurbani” i një humbjeje që sigurisht nuk është shkaktuar nga unë, duke parë edhe rezultatin në Lombardi dhe madje edhe në bashkinë time — ashtu edhe nga çështja e veçantë dhe krejt ndryshe që ka përfshirë deputetin Del Mastro, i cili gjithashtu po paguan një çmim të lartë.

Pasi e sqarova këtë, nuk kam vështirësi të them “bindem” dhe të bëj atë që më kërkon.

Nuk të fsheh njëfarë hidhërimi për përfundimin e rrugëtimit tim si ministre, por në jetën time jam mësuar të paguaj faturat e mia dhe shpesh edhe ato të të tjerëve.

Vlerësoj më shumë miqësinë tonë dhe të ardhmen e lëvizjes sonë.

Përshëndetje të përzemërta,

Daniela

Ministrja e Turizmit, Daniela Santanchè, është përfshirë në disa çështje hetimore që lidhen me aktivitetet e saj sipërmarrëse para dhe gjatë kohës në politikë.

Akuzat kryesore përqendrohen në:

Abuzim i dyshuar me fondet publike (“cassa integrazione”asistencë sociale): Prokuroria ka hetuar nëse kompani të lidhura me të kanë përfituar fonde shtetërore për mbështetjen e punonjësve gjatë pandemisë, ndërkohë që disa prej tyre dyshohet se kanë vazhduar të punojnë. Kjo mund të përbëjë mashtrim ndaj shtetit nëse provohet.

Bilance të dyshimta dhe falimentime: Ka hetime lidhur me menaxhimin financiar të disa kompanive të saj, me dyshime për parregullsi në bilance, humbje të fshehura apo falimentime të menaxhuara në mënyrë jo të rregullt.

Mashtrim financiar dhe komunikim i rremë korporativ: Në disa raste janë ngritur dyshime për deklarime jo të sakta mbi gjendjen financiare të kompanive, çka mund të ketë ndikuar tek investitorët dhe kreditorët.

Hetime për mashtrim ndaj INPS (institucioni i sigurimeve shoqërore): Kjo lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e skemave të mbështetjes sociale dhe mënyrën se si janë deklaruar punonjësit.

Megjithatë, vetë Daniela Santanchè ka deklaruar publikisht se:

Nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor ndaj saj

Nuk ka një “rinvio a giudizio” (dërgim zyrtar për gjykim) për disa nga çështjet e përmendura

Certifikata e saj penale është e pastër

Këto çështje kanë krijuar presion të fortë politik mbi qeverinë e Giorgia Meloni, duke çuar në kërkesën publike për dorëheqjen e saj dhe më pas në largimin nga detyra./ Alba Kepi/