Kimmich: Talenti nuk mjafton, Gjermania kërkon shpirt ekipi për Botërorin
Joshua Kimmich ka dhënë një mesazh të fortë nga grumbullimi i Gjermanisë, duke theksuar se emrat e mëdhenj nuk garantojnë sukses në arenën ndërkombëtare.
Kapiteni gjerman kërkon përqendrim maksimal dhe unitet nga skuadra në prag të sfidave të radhës ndaj Zvicrës dhe Ganës. Sipas tij, këto ndeshje janë vendimtare për të ndërtuar frymën e grupit përpara Kupës së Botës.
Mesfushori nuk harron dështimet e së kaluarës, sidomos eliminimin e hershëm në Botërorin 2018, duke e përdorur si shembull se sa e brishtë mund të jetë një skuadër edhe me shumë cilësi.
Ai thekson se Gjermania nuk hyn si favorite dhe se duhet të fitojë sërish respektin në fushë.
Kimmich vlerëson gjithashtu rëndësinë e paraqitjeve, jo vetëm rezultateve, duke kërkuar intensitet dhe përgjegjësi nga çdo lojtar.
Në këtë kuadër, ai përmend edhe rolin kyç të Antonio Rüdiger, të cilin e cilëson si një shtyllë të besueshme të mbrojtjes.
Mesazhi është i qartë: për të arritur majat, Gjermania duhet të jetë më shumë se një grup yjesh – duhet të jetë një ekip i vërtetë.
“Të kesh skuadrën më të mirë në botë nuk garanton fitimin e titujve. Në vitin 2018 kishim një nga skuadrat më të mira në botë dhe të gjithë e dimë si përfundoi. Çelësi është të kesh ekipin më të mirë në botë dhe të gjithë të kontribuojnë për ekipin”, deklaroi Kimmich.