Irani refuzon propozimin e SHBA për t’i dhënë fund luftës, vendos kushte

Irani i është përgjigjur negativisht një propozimi të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës aktuale, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Sipas Press TV, që citon një “zyrtar të lartë politik dhe të sigurisë”, Teherani ka refuzuar ofertën amerikane, duke theksuar se përfundimi i luftës do të ndodhë vetëm kur ta vendosë vetë Irani dhe kur të përmbushen kushtet e tij.

Megjithëse identiteti i zyrtarit nuk është bërë publik, ai ka deklaruar se Irani kërkon një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim.

Sipas raportimit, pala iraniane ka paraqitur pesë kushte kryesore për përfundimin e konfliktit, mes të cilave: ndalimi i plotë i “agresionit dhe atentateve” nga kundërshtarët, krijimi i mekanizmave që garantojnë mosrikthimin e luftës, kompensime të qarta për dëmet e luftës, përfundimin e konfliktit në të gjitha frontet dhe njohjen ndërkombëtare të të drejtës sovrane të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, sipas të njëjtit burim, SHBA ka tentuar të avancojë negociatat përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, por Teherani i konsideron propozimet si “të tepruara”.